Faji i tij u bë dëshmia në gjyqin e tij të bërë nga lideri i pseudodemokracisë, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha”, njofton për mediat kreu i Shoqatës së Ish-të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa. Sipas tij, Shoshori pas largimit nga jeta është pikë referimi për Lustracionin. “I bëjmë thirrje Sali Berishës, që të kërkojë falje publike dhe të largohet nga politika çka do qetësonte qytetarët e frikësuar nga terrori e sot nga tritoli, si dhe shpirtin e trazuar të viktimës së tij. I bëjmë apel politikës aktuale të hapë dosjet që do identifikonte bashkëpunëtorët e Sigurimit që duhet të largohen menjëherë prej saj nëpërmjet aprovimit të ligjit.
Apel qeverisë aktuale që të ligjërojë fillimisht zhdëmtimin e të burgosurve politikë që janë gjallë, e të fillojë shpërndarjen për ta, se po ndahen nga kjo botë pa i marrë të drejtat që u ka dhënë ligji”, thuhet në njoftim. Për tiranasit e vjetër emri i Hysen Shoshorit ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të “krisura” të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste. Gjatë periudhës 1961-1974 ka shpërndarë 41.100 trakte, ku Sigurimi ka mundur të sigurojë një sasi prej 277 copash. Shoshori ka thënë: “Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, që bënin dëshminë të frikësuar e pa më parë mua.
Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë e energjik, me hap të sigurt u paraqit për të dëshmuar. Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar sesi e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, që e tundte para trupit gjykues dhe sallës: “...ky njeri është armik i betuar i partisë, prandaj duhet varur në litar”! Sipas Shoshorit ky njeri ishte Berisha.
“Ky njeri që është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për të arritur në majat e hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Berisha. M’u kujtua që ky emër, ishte i asaj fizionomie që thoshte për mua “të varet në litar”. Unë mund t’ju them që asnjëherë nuk mund të harrohet bisha që të kafshon”. Shoshori u dënua fillimisht me ekzekutim, por u fal. U dënua me 25 vite burgim, më 17 mars ‘91 u lirua duke bërë 17 vite burg. Asnjëherë s’iu nda persekutimi deri sa iku nga kjo botë dy ditë më parë.
BERISHA: AKUZAT E SHOSHORIT, PA BAZE
Akuzat e Shoshorit të bëra publike në media, ish-kryeministri i ka hedhur poshtë e i cilësoi krejtësisht të pabaza, ndërsa hodhi dyshime dhe mbi gjendjen shëndetësore të dëshmitarit Shoshori. “Nuk kam qënë kurrë në një proces gjyqësor gjatë gjithë jetës time qoftë civil apo penal. S’janë fakte deklaratat e njerëzve që për arsye të ndryshme bëjnë deklaratë të ndryshme.
Kryeredaktori i RD më ka njoftuar se i biri i Shoshorit ka kërkuar të bëjë deklaratë në gazetën time për të mohuar deklaratat e të atit si një manipulim i paskrupullt që po bëhet me të atin e tij. Unë nuk e njoh këtë familje. Kjo përbën një fantazi nga më vulgaret. Nuk e di nëse ai është i vdekur apo jo, në çfarë gjendje shëndetësore është, por unë di se nuk kam marrë pjesë në asnjë gjyq që nga vitit 1944 kur kam lindur dhe deri më tani”, ka thënë Berisha.
Por me sa duket s’ishte në të njejtën linjë me të ish-presidenti Topi, që në korrik të 2012 e dekoroi Hysen Shoshorin me Medaljen e Mirënjohjes me motivacion: “Për sakrificat dhe qëndresën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste, për aktet kurajoze dhe angazhimin jetësor në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe të demokracisë”.
Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)