TIRANE- “Showgirl “shqiptare, Alketa Vejsiu, prezantuesja e "X-Factor" në Tv Klan, i beson votën liderit socialist Edi Rama në rrugën e tij për t’u bërë kryeministri i ri i vendit, pas 23 Qershorit. Beson se me të njëjtin angazhim që lindi Tiranën, ashtu do të mund të lindë edhe Shqipërinë.

Me një fjalim të posaçëm në ditën e dytë të Konventës Zgjedhore të Partisë Socialiste, prezantuesja e njohur Vejsiu risolli përmes kujtimeve të saj takimin e parë me numrin një të socialistëve, Edi Ramën, “idhulli i gjeneratës sime” siç e cilëson ajo.

“Erdha këtu për të thënë sot disa fjalë zemre, atyre që si unë duan që Shqipëria të ishte një vend shumë më i mirë për të jetuar. Unë jam këtu sot sepse dua ta përdor lirinë time për të ndihmuar të tjerët të gjejnë lirinë e tyre. Jam këtu sepse kam besimin e palëkundshëm që Shqipëria të udhëhiqet nga shqiptari i punëve të mëdha, kryeministri ynë i ardhshëm, idhulli i adoleshencës dhe gjeneratës sime, atij që sot qetësisht mund t’ia besoj votën time.

Kam qenë 14 vjeç kur e kam takuar për herë të parë këtë të ri me çitjane dhe rroba vezulluese, i vetmi ministër Kulture që unë mbaj mend dhe i vetmi kryetar bashkie, nga më spektakolarët. Ka shumë si unë që e mbajnë mend Tiranën e çoroditur dhe sot mban era Europë. Po ashtu, jam e bindur se siç lindi Tiranën, ai mund të lindë Shqipërinë", tha Alketa Vejsiu.

Përshëndetja speciale e “showgirl-it” Alketa Vejsiu, parapriu përgjigjet e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama për skeptikët në përpjekje për t’i kthyer besimin se me votën ndaj të majtëve, Shqipëria do të Rilindë vërtet.

Redaksia Online
(ar.sh/e.s/shqiptarja.com)