Kryeparlamentari Ilir Meta, nga ana e tij, i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij, Jakup Krasniqi, ku teksa shpreh ngushëllimet e tij, lutet për që bilanci i viktimave të mos thellohet. Nga ana tjetër menjëherë pas lajmit të dhënë, Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Venecia në Bienale, përmes rrjeteve sociale ka shprehur ngushëllimet e tij, duke u solidarizuar me dhimbjen e familjarëve.
Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përmes Facebook, i është bashkuar dhimbjes së familjarëve të viktimave ndërsa shprehet për një shërim sa më të shpejtë të të plagosurve.
Nishani-Jahjages: Ngushëllime për tragjedinë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, përmes një njoftimi për shtyp, ka shprehur keqardhjen dhe solidaritetin për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Obili.
Në njoftim theksohet se presidenti Nishani i ka komunikuar ngushëllimet nga ana e shtetit shqiptar homologes së tij Atifete Jahjaga, ndër ka shprehur besimin tek autoritetet kosovare në përballimin e kësaj situate.
“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, sapo u informua për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Koorporatën Elektroenergjitike të Kosovës (KEK), në Obiliq, i telefonoi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku i shprehu trishtimin për ngjarjen e rëndë, ngushëllimin për viktimat, duke uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit dhe shprehur besimin se Qeveria dhe autoritetet e Republikës së Kosovës do ta përballojnë dhe kalojnë këtë rast fatkeq me solidaritet dhe angazhim të lartë.” lexohet në njoftimin e Presidencës
Meta telegram Krasniqit: Solidarizim me familjarët e viktimave
Ngushëllimet për tragjedinë në Koorporatën Elektroenergjitike të Kosovës (KEK), në Obiliq ka shprehur edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ndërsa ka uruar një shërim sa më të shpejtë për të plagosurit.
Përmes një telegrami të nisur homologut të tij Jakup Krasniqi, kryeparlamentari Meta i është bashkuar dhimbjes së familjarëve të viktimave
“Ngushellime te sinqerta per te afermit e viktimave. Uron sherim te shpejte per te plagosurit. Jemi prane familjareve dhe autoriteteve kosovare. Solidaritet vellazeror me gjithe popullit kosovar. Lutemi qe bilanci dramatik te mos thellohet.” thuhet në telegramin e Metës
Rama: Lajm tronditës, solidarizohemi me dhimbjen
Menjëherë pas daljes së lajmit të shpërthimit në Kosovë ka reaguar kryeministri, Edi Rama. Në një status në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se “ky është lajm tronditës nga Kosova, dhimbje e solidaritet për familjarët, le të lutemi që numri i të vdekurve dhe të dëmtuarve të mos rritet me tutje”.
Kryeministri Rama ndodhet në Itali pasi Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen në Bienalen e Venecias.
Lajm trondites nga Kosova,dhimbje e solidaritet per familjaret,le te lutemi qe numri i te vdekurve dhe te demtuarve te mos rritet me tutje..
— Edi Rama (@ediramaal) June 6, 2014
Duke qëndruar në vëmendje të zhvillimeve në Prishtinë pas shpërthimit tragjik, kryeministri Rama shkruan se ka komunikuar me homologun kosovar, të cilit i ka shprehur ngushëllime për ngjarjen.
“Sapo fola me KM Thaçi për pasojat e shpërthimit tragjik, dhe i shpreha ngushëllimet e solidaritetin tone. KM ishte i lënduar e falënderues”, shkruan kryeministri Rama.
Basha: I bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet e tij për tragjedinë e Obiliqit. Duke shkruar në rrjetin social Facebook, Basha i bashkohet dhimbjes së familjarëve si dhe shprehet për një shërim sa më të shpejtë të të palgosurve
“Shpërthimi tragjik sot në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët. Në këtë orë fatkeqësie që shkaktoi humbje të jetëve njerëzore dhe dhjetëra të plagosur, së bashku me cdo qytetar shqiptar i bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës. Ju uroj shërim të shpejtë të plagosurve dhe lutem që pasojat e shpërthimit të mos rriten më tej.” shkruan Basha në Facebook
(Në foto: Postimi në Facebok i Lulzim Bashës)
Redaksia Online
(e.c/e.s/shqiptarja.com)