Shpend Ahmeti: Bashkëpunimi i Prishtinës me Tiranën, tepër i rëndësishëm

/ATSH-B.Jashari/.-"Bashkëpunimi i Prishtinës me Tiranën është tepër i rëndësishëm", u shpreh kryetari i komunës së kryeqytetit kosovar, Shpend Ahmeti, i pyetur nga korrespondenti i ATSH-së se si e sheh të ardhmen e bashkëpunimeve të dy kryeqyteteve, si pjesë e bashkëpunimit ndërshtetëror Kosovë-Shqipëri.

"Unë e kam potencuar disa herë, kam qenë në vizitë në Tiranë, ku jam takuar edhe me kryetarin e Tiranës, po ashtu edhe me institucionet qeveritare dhe në këtë drejtim kam propozuar që të kemi një bashkëpunim konkret, i cili do të jetë bashkëpunim i dy kryeqyteteve në zbatimin e projekteve të përbashkëta", tha kryetari i Prishtinës. Duke folur më tej, Ahmeti theksoi kërkesën që të "aktivizohet edhe më tej asociacioni i komunave me kryetarë shqiptarë, i cili përveç një koncepti në letër do duhej të kishte edhe koncept ekonomik të bashkëpunimit të të gjitha komunave shqiptare"."Besoj se në këtë aspekt e kemi përkrahjen jo vetëm të institucioneve qeveritare, por edhe të gjitha subjekteve politike", shtoi ai.

"Ky asociacion ekziston, por nuk është aktivizuar. Ne jemi të gatshëm që të inicojmë edhe takimin e parë që do ta ketë karakterin e diskutimit ekonomik të komunave të ndryshme. Natyrisht, këtu luan rol edhe niveli qendror, edhe i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës", tha Ahmeti.

Kryetari i komunës së Prishtinës ka folur në një konferencë shtypi bashkë me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, pasi dje bënë hapjen zyrtare të panairit "Blej Shqip". Në këtë panair organizuar nga komuna e Prishtinës dhe Ministria Shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po marrin pjesë më shumë se 100 kompani shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. "Besoj, vitin e ardhshëm të kemi edhe nga Presheva, edhe nga Ulqini", tha kryetari i komunës së Prishtinës.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat