Autoritetet në Kosovë kanë arrestuan katër persona në një operacion në rajone të ndryshme të vendit dhe janë në kërkim edhe të pesë personave tjerë, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënies dhe marrjes së ryshfetit.
Operacioni u zhvillua në nëntë zona të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë përfshirë edhe ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Autoritetet thanë se në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të kësaj ministrie, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti si dhe dy qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit. Gjatë ditës u tha se ishin arrestuar shtatë persona.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizaj, Shukri Jashari, tha se gjatë këtij operacioni janë sekuestruar prova materiale, të cilat që do të shërbejnë në procedurën penale të mëtejshme.
“Po ashtu me vendim të prokurorit sot është ndaluar për 48 orë, Bedri Halimi kryeinspektor në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të keqpërdorim të pozitës apo autoritetin zyrtar. Gjithashtu është ndaluar ish sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, për veprat penale të keqpërdorim të pozitës apo autoritetin zyrtar si dhe marrje të ryshfetit. Gjithashtu në këtë aksion është ndaluar edhe një qytetar, respektivivisht investitor në një lagje në Brezovicë nën dyshimin e veprës penale të ushtrimit të ndikimit dhe marrjes së ryshfetit”, tha ai.
Ndërsa, prokurori i çështjes, Rasim Maloku, tha se përgjatë operacioneve është ngrirë edhe një shumë parash.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetorit deri sot, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vet të pandehurve ndërsa një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohen që janë mjete që janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale”, tha ai.
Policia tha se gjatë operacionit ka sekuestruar dokumente, makina, armë, kompjuterë, telefona dhe një uniformë të policisë ish-jugosllave.
Operacioni i së enjtes është vazhdimësi e atij të 21 dhjetorit të vitit të kaluar, kur autoritetet arrestuan dhjetë persona në një operacion në rajonin e Shtërpces, një komunë në jug të Kosovës e banuar me shumicë serbe.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-kryetari i kësaj komune, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet për dhënie lejesh ndërtimi të paligjshme në resortin turistik të Brezovicës.
Ai dhe nëntë të tjerë u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ryshfet. Prokuroria tha se ish-kryetari i komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro për dhënien e lejeve të ndërtimit.
Operacioni i muajit të kaluar nxiti reagimin e përfaqësuesve të Listës Serbe dhe Beogradit, të cilët akuzuan qeverinë e Kosovës për ndërhyrje me planifikim në ditë të caktuar kur në Tiranë po mbahej takimi i nismës “Ballkani i hapur”.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë thanë se operacioni “nuk kishte në shënjestër persona të përveçëm apo të etnive të caktuara, por shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore./VOA/