DURRËS- Eduart Kullesi, 27-vjeç dhe Ronaldo Shala, 26 vjeç, janë vënë në pranga të policisë së Durrësit pasi janë kapur duke shpërndarë lëndë narkotike kanabis në doza në zonën e Vollgës.
Nga hetimet ka rezultuar se Ronaldo Shala, kishte masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, dhe bashkëpunonte me Eduart Kullesin, për të shitur në zonën e quajtur “Vollga”, Durrës, doza të lëndës narkotike kanabis të cilën e siguronte Eduart Kullesi.
Gjatë kontrollit në banesën e Eduart Kullesit, policia gjeti dhe sekuestroi 2 pako me lëndë narkotike kanabis, 103 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, të gatshme për shitje, një peshore elektronike dhe 1000 qese farmaceutike që përdoreshin për ndarjen e lëndës narkotike në doza.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.