Dy persona kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Tiranë, të akuzuar për shpërndarje droge. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se në pranga kanë rënë një 29-vjeçar me inicialet R.D. dhe një 30-vjeçar me inicialet Rr.M..
29 vjeçari u arrestua pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me kokainë. Po ashtu u sekuestruan 2 aparate celular, dhe 87 qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.
30 vjeçari ra në prangat e Policisë pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte dhe në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi kokaine dhe një peshore elektronike që përdorej për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.