Një 20-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi u kap duke shitur kokainë e kanabis në lokalet e natës në Himarë.

Në pranga ka rënë S. C., 20 vjeç, banues në Lushnjë. 

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në Potam, Himarë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga shitja e dozave.

Gjithashtu, u sekuestruan një përforcues grushti dhe dy aparate celulare që u gjetën gjatë kontrollit në banesën e tij.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se i riu shpërndante dozat e kokainës, në zonën e Himarës, kryesisht në lokalet e natës.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.