Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e së martës magazinën e një lokali të vogël në Ishull Lezhë. Flakët kanë shpërthyer në pjesën e pasme të lokalit, e cila shërbente si depo, duke shkaktuar dëme materiale dhe djegien e disa pajisjeve shtëpiake.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka rënë pas shpërthimit të dy bombolave të gazit. Në momentin e ngjarjes, kryefamiljari kishte vënë në punë pajisjet për prodhimin e rakisë.

Menjëherë pas njoftimit, forcat zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë me shpejtësi, duke arritur të izolonin dhe shuanin plotësisht flakët. Falë reagimit në kohë, u shmang përhapja e zjarrit në pjesën tjetër të lokalit dhe në banesat përreth.

Ndërkohë, Policia e Lezhës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.