LEZHË- Një shpërthim me tritol u regjistrua mëngjesin e kësaj të diele në Lezhë. Lënda plasëse iu vendos automjetit të një punonjësi policie, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Makina tip “Volksëagen Golf 5”, në pronësi të agjentit të krimeve në Policinë e Lezhës, Gentjan Gjetja, ishte i parkuar poshtë shtëpisë së tij, në lagjen “Besëlidhja”, në afërsi të gjimnazit të qytetit, kur iu vendos lënda plasëse. Shpërthimi ndodhi rreth orës 05:55 dhe shkaktoi vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të automjetit.
Në lidhje me ngjarjen, policia nisi menjëherë hetimet, ku po punohet për identifikimin e autorit apo autorëve, si dhe për përcaktimin e llojit dhe sasisë së lëndës shpërthyese. Grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë për të parë lëvizjet para dhe pas ngjarjes, çka mund të ndihmojë në zbardhjen e saj.
“Rreth orës 05:55, në qytetin e Lezhës, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse në një automjet të parkuar, tip “Volksëagen Golf”, në pronësi të shtetasit G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në DVP Lezhë. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon intensivisht veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.
Ndërkohë në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor, 41-vjeçari Gent Gjetja ka deklaruar se nuk ka konflikte. Dyshimet janë se sulmi me tritol ndaj automjetit të punonjësit të policisë mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës që ai ushtron prej vitesh në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Komente









