15 familjet që mbetën pa shtëpi pas shpërthimit në një pallat pesëkatësh në Elbasan do të përfitojnë bonus qiraje për një vit, me mundësi zgjatjeje deri në rikthimin e tyre në banesa. Vendimi u miratua këtë të martë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, me procedurë të përshpejtuar, pas përfundimit të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit.

Të 15 familjet kanë nënshkruar kontratat, ndërsa Bashkia ka verifikuar çmimet e tregut për të përcaktuar vlerën e bonusit. Shpenzimet do të mbulohen në bazë të ligjit për emergjencat civile, deri në akomodimin përfundimtar të banorëve.

"Eshtë miratuar bonusi i qerasë. Sot u është kërkuar të gjitha familjeve të prekura që të paraqesin dokumentacionin përkatës. Kemi marrë nga Kadastra raportin paraprak. Janë shtëpi të vjetra të ndërtuara para 90’ës. Po merremi me të gjitha rastet. Tani është çshtje administrative. Bonusi i qerasë është bërë në bazë të vlerës së banesës. Nuk është bonus social" tha kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja. 

Krah Llatjas, Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, shpjegoi se institucionet do të diskutojnë alternativat për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa inxhinierët do të vlerësojnë gjendjen e godinës dhe ndërhyrjet e mundshme.

“Sot kemi një takim pune në terren për të diskutuar cilat do të jenë alternativat që do të ndjekim. Do të kenë një mbështetje absolute. Të gjitha institucionet duhet të ndërveprojnë për zgjidhjen e problemit. Ajo ishte një tragjedi që mund të ishte më e rëndë. Dy jetë njerëzish është fatkeqësi, por duhet të shohim përpara për adresimin e të gjitha shqetësimeve të banorëve të atij pallati”, tha Demo.

Ai theksoi se çdo vendim për të ardhmen e ndërtesës duhet të merret në mirëkuptim me banorët.

“Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës, ndërhyrjet e mundshme dhe në bazë të këtij informacioni do të shohim alternativat që kemi. Ne jemi sot për të treguar vullnetin që kjo do të marrë një zgjidhje”, u shpreh ministri.

Shpërthimi i bombolës së gazit në pallatin pesëkatësh shkaktoi dy viktima dhe 10 të lënduar. Dëmet në ndërtesë detyruan evakuimin e banorëve dhe nxorën jashtë përdorimit apartamentet e prekura.