VLORË- Një 33-vjeçari i identifikuar si Indrit Sadedinaj, i është bërë atentat mesditën e kësaj të diele në Lungomare të Vlorës me tritol, i cili ishte vendosur në afërsi të garazhit  ku kishte parkuar makinën. Sipas informacioneve të siguruara nga Report Tv, sasia tritoli ishte i mbuluar me kartonë në mënyrë që mos të zbulohej, ndërsa ka shpërthyer me telekomandë sapo 33-vjeçari ka dalë nga garazhi, duke e lënë të plagosur.

I riu ka marrë plagë të shumta në gjymtyrët e poshtë dhe për pasojë është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë mjekim më të specializuar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se për momentin gjendje e tij shëndetësore është e mirë dhe sipas të njëjtave burime, familjarët e tij kanë arritur të komunikojnë me të.

Indrit Sadedinaj, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal, por megjithatë shkak për shpërthimin dyshohet konfliktet e mëparshme të 33-vjeçarit. Burime nga Policia e Vlorës për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, bëjnë me dije se pista që po hetohet si motiv për atentatin është ajo e prishjeve të pazareve të drogës.

Pas atentatit forcat e FNSH kanë blinduar Vlorën, duke kontrolluar të gjithë automjetet që hynë dhe dalin nga territori. Report Tv ka mësuar se deri më tani janë shoqëruar 6 persona.

Shpërthim i fortë ndodhi në lagjen "10 korriku", duke alarmuar banorët e një zone mjaft të populluar. Report Tv solli pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet i plagosuri i shtrirë në rrugë, në pamundësi për të lëvizur, teksa i jepet ndihma e parë. 

Kjo nuk është hera e parë që ndaj Indrit Sadedinaj është bërë një atentat, pasi edhe katër vite më parë i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:01
I bë atentat me eksploziv sapo doli nga garazhi, atentati dyshohet për prishje të pazareve të drogës

Një 33-vjeçar ka mbetur i plagosur ditën e sotme në Lungomare të Vlorës, pasi tentuan që ta vrasin  duke i bërë atentat sapo doli nga garazhi ku parkoi makinën. Burime për Report Tv nga policia e Vlorës bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit ku po hetohet atentati është ajo e prishjes së pazareve.

Ora 18:19
Atentat ndaj 33-vjeçarit në Lungomare, FNSH blindon Vlorën! Vijnë përforcime edhe nga Fieri për kapjen e autorëve! Shoqërohen 6 persona

 

 

Atentati ndaj 33-vjeçarit mesditën e kësaj të diele, ka bërë që forcat FNSH të blindojnë Vlorën. Përforcime për kapjen e autorit, ose autorëve kanë ardhur edhe nga Fieri.

Sipas informacioneve nga Report Tv, cdo automjet i hyn apo del nga territori i Vlorës i nënshtrohet kontrollit. Nga po të njëjtat burime bëhet me dije se janë shoqëruar 6 persona.

Ora 16:35
Iu bë atentat në mes të ditës në Vlorë, kush është 34-vjeçari

1639928183_indritsadedinaj.jpg

Ky është Indrit Sadedini 34 vjeç, të cili iu bë atentat me tritol në makinë mesditën e kësaj të diele në Vlorë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë.

Ora 16:27
I shtrirë në rrugë dhe i plagosur rëndë, momenti kur ambulanca merr 34-vjeçarin që iu bë atentat në Vlorë

Report Tv ka siguruar pamjet e momentit ku 34-vjeçari i plagosur si pasojë e një atentati me eksplosiv në Vlorë, po merret nga mjekët. I riu mësohet se ka plagë të rënda në gjymtyrët e poshtme të trupit.

Ora 15:58
Mbeti i plagosur rëndë, Endrit Sadedini i shpëtoi 4 vite më parë një tjetër atentati

Endrit Sadedini, 34-vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi ishte shënjestra e një atentati mesditën e sotme në Vlorë, edhe 4 vite më parë i kanë bërë atentat. Sipas burimeve për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, në të njëjtën periudhë, 34-vjeçari i ka shpëtuar një tjetër atentatit. Mësohet se shkak janë bërë konfliktet e tij të mëparshme.

Ora 15:33
Pamje nga vendi ku ndodhi shpërthimi në Vlorë,  zbulohet identiteti i të plagosurit

Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm, ndërsa i plagosur është ende në vendin e ngjarjes. Sipas po të njëjtave burime, i plagosur ka mbetur Endrit Sadedini 34 vjeç.