Policia e Elbasanit thotë se shkak i shpërthimit të fuqishëm në pallatin në Elbasan, që shkaktoi 2 viktima, është bërë rrjedhja e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro. Ky i fundit u gjet mes rrënojash pas orësh kërkime. Policia thotë se rrjedhja e gazit ka qenë shkak edhe për shpërthimin e fuqishëm në pallat, që shembi totalisht 2 kate të pallatit dhe e bëri atë të pabanueshëm. 10 persona u lënduan dhe shkuan në spital, ndërsa përveç pronarit të banesës, humbi jetën edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, njofton Policia.


Lajmi kryesor:

Zbardhet shkaku i tragjedisë me dy të vdekur në Elbasan! 69-vjeçari kishte vendosur tubat e gazit në murin e pallatit! Objekti do të shembet (VIDEO)