FIER- Shpërthimi me tritol që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në një apartament në Fier ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale. Report Tv ka siguruar pas shpërthimit ku duket se lënda plasëse ishte vendosur në derën e apartamentit duke e dëmtuar atë. Shpërthimi, siç e përshkruajnë banorët e zonës ishte i madh, saqë ata kanë dalë nëpër shkallët e pallatit për të parë se çfarë ndodhi, por duke theksuar se nuk panë asnjë të dyshuar rreth e rrotull.
Teksa tregojnë ngjarjen, fqinjët thonë për Report Tv, se pronari i apartamentit Asqeri Hyskaj jeton prej vitesh në Itali dhe sipas tyre nuk ka pasur konflikte me njeri.
“Rreth orës 8 pa 20 dëgjuam një shpërthim të madh, dolëm të tronditur, pamë pastaj që tek dera e katit të katërt kishin vënë tritol. Si njeri nuk ka probleme asnjëherë, ka 25 vite që jeton në Itali, nuk banon njeri. Sigurisht që u trembëm, atje u shqyen dyert, është bërë dëm i madh në hyrje, është çarë soleta. Ajo ndodhi natën, nuk mund të shikoje, kohë e keqe ishte. Policia ishte mori informacionet e saj. Për mua është sinjal për dikë.
Shpërthimin e dëgjova se nuk ishte i vogël. Dola nga penxherja, pashë pa e hapur, asgjë nuk kishte”, thonë fqinjët.
Shpërthimi ndodhi mbrëmë rreth orës 21:40 ku lënda plasëse ishte vendosur në afërsi të derës së jashtme. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarjeje por dyshohet se mund të jetë një paralajmërim për pronarin e shtëpisë. Policia po punonpër zbardhjen e ngjarjes por ende nuk ka asnjë person të dyshuar.