TIRANE- Me tone të ashpra e ka komentuar nënkryetari i LSI, njëherësh dhe zv.ministër i Transprteve Ylli Manjani, aktin terrorist të shpërthimit të tritolit në një nga shtyllat e tensionit të lartë në Milot.

Në një prononcim për gazetën “Shqiptarja.com” ai thotë se aksionet e policisë pas rotacionit politik i kanë prishur balancat dhe terezinë krimit, duke bërë që ai të reagojë përmes terrorit për ti bërë presion shtetit që të mos godasë. “I di ngjarjet, po s’di detaje. E vetmja gjë që mund të them unë është se: “Qartësisht rotacioni politik e veprimtaria e policisë pas rotacionit kanë prishur balancat e vendosura në stanjacion prej vitesh nga pushteti që ra. Kështu ndodh zakonisht pas rotacioneve. Krimi aktivizohet për t’i bërë presion shtetit që ky i fundit të mos ndërhyjë dhe të mos e godasë. Kjo lëvizje turbulluese që bën pushteti i ri e sjell këtë reagim të krimit që sot përfaqëson dhe interesa bisnesi të forta.

Për fat s’ka patur viktima, sepse me sa duket qartësisht, synimi është krijimi i klimës së terrorit e jo i vrasjes së njerëzve”, ka qënë deklarata e numri dy të LSI e të ministrisë së Transportev në lidhje me aktin e kryer në Milot por dhe në Pogradec. Por Manjani s’ka lënë jashtë akuzave as politikën duke nënkuptuar opozitën, e cila në vend që të fajësojë krimin dhe terrorin dhe të kërkojë goditjen e tij, fajëson kundërshtarin, në rastin konkret shtetin dhe qeverinë që po drejton e godet krimin. “Në këtë klimë si gjithmonë spekulon politika, që nxiton të bëjë deklarata për të fajsuar kundërshtarin dhe jo autorët e vërtetë të terrorit. Ky reagim politik për mua është mbrojtje e terrorit dhe jo i rendit. Sidoqoftë, i takon shtetit dhe jo pushtetit as politikës të sqarojë situatën. Politika nëse nuk ka kontribut për të dhënë, në mbrojtje të rendit, të paktën të mos spekullojë, por të lërë shtetin të punojë”, është shprehur Manjani.

Për të cilin shteti ka detyrimin për të treguar qartë se nuk prapsohet nga krimi në objektivin që ka ndërmarrë për të vendosur rendin në çdo cep të vendit. “Por nga ana tjetër shteti ka barrën e provës të tregojë se egziston dhe se nuk dorëzohet nga presioni i krimit. Pushteti ka barrën e provës se nuk po prish balancat aktuale të krimit për të vendosur balanca te reja. Por këto balanca të prishura t’i hapin rrugë vendosjes së kontrollit të shtetit mbi rendin e sigurinë”, tha Manjani, teksa kërkon zbatim të ligjit.
 
Çfarë ndodhi
Një sasi e madhe tritoli u vendos në këmbët e një shtylle të tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të 31 dhjetorit 2013, në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi Kurbin, ndërsa ministria e Brendshme raportoi për incidentin duke e quajtur “akt terrorist”. Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartona, njëri me mbishkrimin ‘Nafta’ dhe tjetri me mbishkrimin ‘Taksat’, të cilat ishin të ngjitura me ngjjitese natriban në shtyllë. Shpërthimi ndodhi 1 ditë para se të hyjnë në fuqi taksat e reja ku përfshihet dhe rritja e akcizës për naftën.

Sipas ministrisë së Brendshme nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartësinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës. “Ky është akti i parë terrorist në Shqipëri që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit”, akzoi policia


 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)