Agjentët e Komisariatit nr. 4 arrestuan menaxherin e pikës së karburantit KU ndodhi shpërthimi i autobotit të shtunën në rrugën “Bardhyl” në Tiranë. Në pranga ka rënë Miklovan Sollaku, me akuzën se ka shkelur rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse, me pasojë plagosjen e shoferi i autobotit dhe vetë menaxherit të pikës së karburantit.

Policia dhe prokuroria janë në pritje të ekspertizës për të përcaktuar shkaku e shpërthimit, i cili i shkaktoi dëme edhe Myrto Kadiut, shofer i kamionit.

Dy punonjës u plagosën gjatë shpërthimit në një pikë karburanti në mes të Tiranës. Njeri nga punonjësit u dëmtua në përpjekje për të shmangur ngjarjen, ndërsa tymi mbuloi zonën për pak minuta. Pasi ka ndodhur shpërthimi shoferi i autobotit Myrto Kadiu ka tentuar që të ndalojë furnizimin e karburantit, por në momentin që ka tentuar që të heqë tubin e furnizimit nga pajisja, është dëmtuar në fytyrë dhe duar.

Pavarësisht se kishte marrë plagë, ai ka hipur në autobot për ta larguar nga karburanti për të shmangur një shpërthim më të madh që mund të shkaktonte tragjedi. Për shkak të plagëve në duar nuk ka mundur ta largojë autobotin nga aty dhe si pasojë ka humbur drejtimin, duke e spostuar me një gomë në shkallët e dyqanit ngjitur. Fatmirësisht ka frenuar dhe në dyqan nuk raportohet për persona të lënduar.