TIRANE - Report Tv ka mësuar detaje të reja nga shpërthimi i ndodhur sot në një dyqan celularësh, pranë Rezidencës Italiane, në Tiranë. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije për Report Tv se po hetojnë pistën e montimit të bombave me celularë nga ana e 34- vjeçarit, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi.

I riu ka humbur gishtat e duarve, ndërsa është dërguar në spitalin e Traumës me dëmtime të shumta në fytyrë dhe në trup. Të njëjtat burime të policisë thonë se 34-vjeçari ka filluar punën rreth orës 10:30 të mëngjesit të sotëm, dhe vetëm pak minuta më pas ai ka mbyllur derën e dyqanit nga brenda.

 

Nisur nga fakti se shpërthimi ka ndodhur në tavolinën e punës dhe në duart e Gentjan Hoxhës, gjithashtu dëmtimet e shumta brenda ambienteve të biznesit, si dhe xhamat që përfunduan në rrugë, kanë bërë që policia të hetojë Gentjan Hoxhën mbi dyshimet për montim të minave. Dyshimet shtohen edhe nga fakti se dera e dyqanit të celularëve ishte e mbyllur me çelës, kur ndodhi shpërthimi.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë pohuar se personi i dëmtuar kishte humbur gishtat e duarve. Ndihma e parë i është dhënë nga dy persona, që e kanë parë rastësisht shpërthimin. Ata e kanë nxjerrë menjëherë jashtë dyqanit, të nxirë të gjithin nga tymi e pluhuri. 

[gallery]25789[/gallery]

Informacion paraprak nga policia:

Më datë 12.03.2018, rreth orës 10:40, në rrugën " Qamil Guranjaku " në një dyqan celularësh në pronësi të shtetasit G.H., 34 vjeç, i cili ishte duke punuar dhe ne pune e siper ka ndodhur nje shperthim nga lende ende e papercaktuar. Si pasoje është dëmtuar shtetasi G.H., i cili u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga shpërthimi ka dhe dëme materiale. Theksojmë paraprakisht se shtetasi G.H ishte duke punuar në dyqanin e tij dhe derën e jashtme e kishte të mbyllur dhe shpërthimi ka ndodhur ne tavolinen e punes. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes

i plagosuri tirane
(I plagosuri në vendin e ngjarjes)