Sean “Diddy” Combs është transferuar nga burgu ku mbahej në New Jersey në një institucion tjetër federal në Pensilvani, mes shqetësimeve të mundshme për sigurinë e tij personale, raportojnë mediat amerikane.
Sipas TMZ, transferimi u krye mëngjesin e së premtes, më 16 tetor, nga burgu federal FCI Fort Dix drejt institucionit FCI Allenwood. Shërbimi Federal i Burgjeve në SHBA konfirmoi lëvizjen, pas një vizite të fundit të Combs në spital.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur arsyen zyrtare të transferimit. Megjithatë, gjatë qëndrimit në Fort Dix, reperi kishte kryer disa shkelje disiplinore, përfshirë rregullat për përdorimin e telefonave dhe grindje. Për pasojë, ai ishte dërguar dy herë në njësinë e posaçme të izolimit.
Megjithatë, sipas TMZ, transferimi nuk nënkupton domosdoshmërisht se shkak është sjellja e tij. Allenwood ka të njëjtin nivel sigurie si Fort Dix, çka ka ngritur dyshime se vendimi mund të lidhet me nevojën për të garantuar mbrojtjen e tij.
Fort Dix strehon rreth 4,000 të burgosur, ndërsa në Allenwood mbahen afërsisht 1,000 persona. Sipas raportimit, numri më i vogël i të burgosurve mund t’u mundësojë autoriteteve ta monitorojnë Combs më nga afër dhe të kujdesen më mirë për sigurinë e tij.
Ndërkohë, burime të cituara nga TMZ bëjnë të ditur se Combs ka humbur 41 ditë nga krediti për sjellje të mirë, i cili mund të ndikojë në uljen e kohës së vuajtjes së dënimit. Gjithashtu, atij i është hequr e drejta për të blerë produkte në dyqanin e burgut për një periudhë prej 400 ditësh.
Më herët, është raportuar se producenti ishte gjetur me një telefon celular të paligjshëm, në të cilin kishte fotografi nudo. Po ashtu, ndaj tij ishin ngritur pretendime se kishte konsumuar alkool dhe i ishin siguruar masazhe e ushqime luksoze gjatë qëndrimit në burg.






Komente
Komento