BRUKSEL - Në datën 27 maj 2013, u mbajt në Bruksel, takimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Nismës Adriatiko Joniane. Gjatë këtij takimi, Shqipëria mori edhe Presidencën e Nismës Adriatiko Joniane, presidencë të cilën gjatë këtij viti e ka mbajtur Sllovenia. Burimet zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtm njoftuan se "Delegacioni shqiptar në këtë takim u kryesua nga Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, zj Edith Harxhi. Në takim u analizua  aktiviteti njëvjeçar i NAJ-it, integrimi i vendeve anëtare të Nismës Adriatiko Joniane në Bashkimin Europian si dhe drejtimet kryesore të bashkëpunimint në të ardhmen.

Vëmendje e posaçme gjatë takimit iu kushtua Strategjisë së BE-së për Makro Rajonin Adriatiko Jonian, që pritet të miratohet nga BE-ja gjatë vitit 2014, dhe për të cilën Shqipëria do të punojë gjatë Presidencës së saj 1-vjeçare.  Nga të pranishmit në takim u konfirmua angazhimi i plotë për hartimin  e kësaj strategjie, duke pasur parasysh faktin se katër vende anëtare të kësaj nisme: Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia (nga 1 korrik 2013) janë anëtare të BE-së dhe kjo do të rrisë perspektivën e kësaj nisme rajonale dhe mundësinë për projekte dhe fonde të drejtpërdrejta zhvillimore për vendet anëtare. 

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj Harxhi, paraqiti prioritetet e Shqipërisë gjatë Presidencës së saj një-vjecare duke radhitur si prioritete bazë: bashkëpunimin rajonal, zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe energjinë. Për këtë qëllim me ndërmjetësimin e delegacionit të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, takimi i Ministrave të Jashtëm të Nismës Adriatiko-Joniane në Bruksel miratoi edhe një deklaratë mbështetëse për projektin ‘Trans Adriatik Pipeline’ - TAP dhe bashkëpunimin e këtij projekti me “Adriatic Ionian Pipeline”- AIP dhe përshëndeti memorandumin e mirëkuptimit midis TAP dhe Kroacisë, Bosnje Hercegovinës e Malit të Zi të firmosur më 23 maj 2013 në Tiranë."

Në fjalën e saj, zv.ministrja Harxhi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së Kosovës dhe Maqedonisë në Nismën Adriatiko Joniane, pa prezencën e të cilëve, siç u shpreh ajo, harta e Nismës mbetet e paplotë dhe kërkoi që parimi i gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit rajonal të drejtojë këtë Nismë në të ardhmen. Në përfundim të takimit u bë edhe ceremonia e transferimit të presidencës 1-vjeçare (qershor 2013-maj 2014) të NAJ-it, nga Sllovenia tek Shqipëria.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)