Delegacioni shqiptar përfaqësohet nga ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu.
Nga ana tjetër, delegacioni i Bashkimit Europian kryesohet nga komisioneri Johannes Hahn dhe ministri i Jashtëm i Letonisë.
Më 8 Maj u konstituua edhe Këshilli Kombëtar i Integrimit nën drejtimin e opozitës, nga kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu.
Kryeministri Rama e konsideroi ngritjen e këtij Këshilli si një nismë që kalon kufijtë e politikës dhe që ka të angazhuar ekspertë të nivelit më të lartë vendas e të huaj.
"Qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar punën e këtij Këshilli", tha Rama. Ai i siguroi të gjithë për angazhimin e plotë të çdo përfaqësuesi të ekzekutivit në këtë Këshill.
Kreu i Ekzekutivit uroi që bashkëpunimi në këtë Këshill të jetë një frymëzim për Partinë Demokratike lidhur me bashkëpunimin e saj në ndërmarrjen e reformave, që kanë rëndësi jetike për vendin.
Ndërsa Kryeparlamentari Meta deklaroi gjatë mbledhjes së Këshillit se Shqipëria është një faktor konstruktiv në politikat e BE-së për rajonin, nga ana e saj, Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu, kërkoi nga politika lënien mënjanë të retorikave boshe dhe nisjen e një pune serioze për integrimin.