STRASBURG – Në Shqipëri, kushtet në dhomat e paraburgimit janë jashtë normave të lejuara. Ky fakt konstatohet nga Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor ose Degradues apo Ndëshkimit gjatë një vizite të paparalajmëruar në vendin tonë.
Sipas raportit të publikuar sot në Strasburg, nw faqen zyrtare www.cpt.coe.int, shumica e personave të intervistuar nga delegacioni i KPT-së deklaruan se ishin trajtuar në mënyrë korrekte nga policia. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm personash (duke përfshirë edhe shumë të mitur) pohuan se kishin qenë të nënshtruar ndaj keqtrajtimit fizik (p.sh. shuplaka, grushta, shqelma ose goditje me shkop) në kohën e arrestimit të tyre ose gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë.
”Kushtet materiale të paraburgimit ishin shumë të varfër në shumicën e institucioneve policore të vizituara (qeli të shkatërruara, pa dritë natyrore ose shumë të kufizuara, ndriçim artificiale të zbehtë dhe ventilim të varfër). Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare tregojnë se shumë prej objekteve policore të paraburgimit janë duke u rinovuar apo rindërtuar plotësisht”, thekson komiteti në raportin e tij.


DHOMAT E PARABURGIMIT
Këshilli i Europës ngre shqetësimin se qelitë vec mungesës së dritës dhe ajrimit, dhomat e paraburgimit janë të mobiluara në mënyrë të pamjaftueshme (nuk ka shtretër në shumicën e tyre, të shkatërruara dhe dyshekë / batanije të pista) dhe me sa duket nuk ngrohen gjatë dimrit. Më tej, në kohën e vizitës së Komitetit, në sejcilën nga qelitë në varësi në Drejtorisë së Policisë për qarkun e Tiranës, u mbajtën dy persona në një hapësirë prej 3.5 metër katrorë. Nga ana tjetër, në Qendrën e Paraburgimit në Kukës kushtet ishin të tmerrshme (qeli me lagështi dhe të ndyra, me riparime në gjendje të dobët, me dritë natyrore të kufizuar dhe ventilim të papërshtatshëm). Disa njësi në Burgun nr. 313 në Tiranë ishin të mbipopulluara rëndë.

REAGIMI I QEVERISË SHQIPTARE
Në reagimin e tyre, autoritetet shqiptare informojnë KPT-në se në të ardhmen e afërt do të fillojë ndërtimi i një qendre të re të paraburgimit në Kukës si edhe e një burgu të ri arresti në Tiranë. Kushtet materiale ishin të varfër edhe në shumë qeli të burgut të Burrelit dhe në Spitalin Psikiatrik Shkodër.


DHUNA FIZIKE
Në burgje, marrëdhëniet personel-të burgosur në tërësi u dukën të ishin mjaft të qeta dhe dhuna ndërmjet të burgosurve nuk dukej të ishte një problem i madh. Megjithatë, në burgun e Korçës, burgun nr. 313 i Tiranës dhe në Qendrën e Paraburgimit në Durrës, disa të burgosur pretenduan se ishin keqtrajtuar fizikisht nga anëtarët e grupeve të veçanta të ndërhyrjes në këto objekte.
Kushtet e jetesës së pacientëve në Spitalin e Burgut në Tiranë janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, KPT-ja ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me praktikën e vazhdueshme të përdorimit të zinxhirëve metalike për të kufizuar në shtretërit e tyre pacientët vetëvrasës apo të shqetësuar. Në reagimin e tyre, autoritetet e shtetit shqiptar deklaruan se në të ardhshmen do të përdoren vetëm rripa lëkure.

(aq/shqiptarja.com)