Drejtori i AKBN-se Dael Dervishi gjate takimit me drejtues te Komisionit te Pavarur për Miniera dhe Minerale
TIRANE 25 Qershor/ATSH/- Shqipëria dhe Kosova angazhohen përmes një memorandumi bashkëpunimi për përmirësimin e marrëdhënieve reciproke dhe shkëmbimin e eksperiencave dypalëshe në sektorin minerar.
Një delegacion nga AKBN i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Dael Dervishi zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë vizitës së tij, Dervishi takoi Drejtorin Ekzekutiv të KPMM (Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale), Midin Bojaxhiu.
Në takim u diskutuan disa çështje të interesit të përbashkët ndër të cilat të drejtat ndërkufitare në sektorin minerar dhe u ra dakord për firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi midis dy institucioneve shtetërore më qëllim përmirësimin e marrëdhënieve reciproke dhe shkëmbimin e eksperiencave dypalëshe.
Gjithashtu, Dervishi zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Republikës së Kosovës, Lulzim Rafuna. Në takim u diskutua rreth disa nismave të reja për lehtësimin e procedurave doganore për subjektet minerare të cilat kryejnë shkëmbime tregtare midis dy vendeve. Dervishi dhe Rafuna zhvilluan një vizitë të përbashkët edhe pranë pikës kufitare të Qafës së Morinit (Tropojë).
Në takimet e zhvilluara gjatë vizitës së tij në Kosove, Dervishi shoqërohej nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës Qemal Minxhozi, si dhe përfaqësues nga institucionet pritëse./a.gjonaj/./a.g/