Shqipëri-Kosovë, mungesë bashkëpunimi në disa fusha

Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të cilat kanë mungesë të theksuar të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Deklarata ka ardhur nga kreu i Fondacionit gjerman "Friedrish Ebert", Frank Hantke, në konferencën "Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët" organizuar sot nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (Albanian Institute for International Studies).
Shqipëria dhe Kosova edhe pse dy shtete të përbëra nga i njëjti komb, kanë marrëdhënie të vakët midis tyre, u shpreh Hantke.
"Duke folur nga këndvështrimi i Bashkimit Europian mund të themi se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të vakëta. Kemi shumë fjalë nga ana e të dyja qeverive, por shumë pak bashkëpunim në të gjitha fushat. Nuk duhet të flasim për vizione, por për realitetin. Është i nevojshëm konstatimi i pengesave, të cilat kanë sjellë këtë marrëdhënie të vaket midis dy shteteve. Vetë BE bashkimin e shteteve e nisi gradualisht, ndaj kështu duhet ta nisni edhe ju me gjëra të vogla. Me këto veprime duket sikur po luajmë me shpresat e qytetarëve të të dyja shteteve. Njerëzit i keni pyetur nëse duan të bashkohen. Jo, kjo është pyetja e gabuar. Ata duhen pyetur se çfarë mund të bëjnë sëbashku për ta bërë më mirë këtë", theksoi Hantke.
 
Ndërsa për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, marrëdhëniet ekonomike me Kosovën kanë një rritje pozitive, por mbeten ende larg perspektivës së qeverisë shqiptare.
Ndërkohë, Ahmetaj theksoi se, "Në vitet 2010-2014 volumi tregtar i Shqipërisë me Kosovën ka pasur një rritje me 16%. Nuk e kemi me asnjë vend tjetër këtë rritje. Por për shkak të barrierave jo tarifore, të padukshme që krijohen nga të dyja vendet, ka bërë që të mos kemi akoma atë volum të dëshiruar".
Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, foli për fenomenin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, siç është eksodi masiv i qytetarëve, pikërisht drejt Gjermanisë. "Nëse duam integrim, të dyja qeveritë duhet t'ja sjellin Europën shtetasve që qeverisin në vendin e tyre", tha Dade.
Në Konferencën Rajonale "Shqipëria dhe Kosova në kërkim të së ardhmes së përbashkët", u komentuan edhe deklaratat e kryeministrit Rama për bashkimin Shqipëri-Kosovë. "Avancimi i çështjes kombëtare është bërë brenda rendit botëror SHBA-BE, çdo qëndrim tjetër është një qëndrim aventurier", tha deputeti demokrat Aldo Bumçi.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u shpreh se, "Deklaratat e kryeministrit Rama duhet të shihen nga një perspektivë tjetër. Harta politike e rajonit është e përfunduar. Kufijtë janë të pandryshueshëm".
Në aktivitet u prezantua projekti, i cili kishte në thelb analizën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës, sipas së cilit këto dy shtete kanë mungesë të theksuar bashkëpunimi në fushën politike ekonomike, sociale dhe kulturore. /atsh/
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlora nën ‘pushtetin’ e zjarreve! Shefi i Zjarrfikësve jep alarmin: S’kemi makina për të shuar flakët!