Në Shqipëri agroturizimi është një fushë që po merr zhvillim gjatë viteve të fundit. Në mjaft zona të vendit janë ndërtuar bujtina, 70% e të cilave sipas autoriteteve zyrtare drejtohen nga gra. Një prej tyre, është Anila Çollaku e cila administron një bujtinë në zonën e Tepelenës. Në rrëfimin e saj për Zërin e Amerikës, ajo thotë se i ruan traditat me fanatizëm dhe se pasionin e saj e ndihmon dhe natyra përreth, me lumenj e male të cilët tërheqin turistë nga vende të ndryshme të botës.
Në afërsi të Tepelenës një hapësirë agroturizmi prej 20 mijë metrash katrorë, është një kënd i veçantë frymëmarrje mes natyrës, që mban emrin e veçantë të shkrimtarit anglez të periudhës së romantizmit, dhe dashamirësit të shqiptarëve, Lord Bajronit. E rrethuar nga dy lumenj, nga ai i Vjosës dhe Bënçës, kjo Bujtinë, e mban ndezur motorrin e forcës nga dora e një gruaje si Anila Çollaku. Një rrugëtim në tokën e të parëve e nisur prej nënës së saj, Besa.
“ Është heroina ime, është ajo që e ndërtoi në ato fillime. Dhe unë e dua punën që bëj sot, sepse në çdo hap shoh energjinë dhe sakrificën e saj”- thotë Anila Çollaku, administratore e bujtinës “Lord Bajron”.
Filloi ashtu mes një natyre të egër, dhe prej duarve dhe pasionit të tyre u rrit nga pak çdo ditë.
“Para 32 vitesh kur erdhëm këtu, nuk do ta harroj kurrë, që për të hyrë në këtë tokë, që është 20 mijë metra katrorë, duhet të shtynim ferrat me duar, me shkopinj që të shihnim se ku do ta ndërtonim të ardhmen tonë. Dhe pikërisht në këtë vend prindërit e mi ndërtuan një çadër dhe për shumë vite jetuan aty derisa ngritën shtëpizën e parë”- shprehet Anila.
Jeta e Anilës rrodhi në një drejtim tjetër dhe restoranti modest buzë rrugës nacionale u mbajt në këmbë me shumë mundim nga prindërit e saj Bashkim dhe Besa Pataj, e cila është ndarë nga jeta 5 vjet më parë. Anila bashkë më bashkëshortin, Gjinin, një profesionist i fushës së gastronomisë, në vitin 2014, e braktisën kryeqytetin ku kishin ndërtuar jetën e tyre, për t’u vendosur këtu dhe për t’i dhënë një hov të ri biznesit familjar, i cili thuajse ishte rrënuar.
“ Nuk ishte e lehtë dhe për ne, mosha e prindërve të mi, mamaja e sëmurë, aktiviteti kishte disa vite që nuk funksiononte. Dhe ne nuk e kishim për momentin mundësinë e një financimi për të rifilluar aktivitetin dhe me shumë sakrifica dhe vështirësi e kemi filluar, duke hapur një dhomë hoteli, duke e kthyer në restorant me 4 tavolina. U regjistruam në platformën e “Booking” filluam të tërheqim vizitorët e parë me ato 4 tavolina, sepse ajo që i tërhiqte turistët ishte pikërisht ajo që ne bënim, turizmi familjar”- vijon Anila Çollaku.
Anila është nënë e 4 fëmijëve, ndaj dhe vendimi për t’u zhvendosur në një zonë rurale rreth 200 km larg Tiranës ishte i vështirë. Jeta do ndryshonte për gjithë familjen tërësisht. Dy djemtë e mëdhenj ishin në Francë, ndërsa morën me vete dy tjerët më të vegjël, djalin 4 dhe vajzën 1 vjeçe.
“Ndonjëherë gjërat e kalojnë atë kufirin monetar, kanë pasionin brenda, pasionin për punën, dashurinë për tokën për bujqësinë për natyrën”- rrëfen ajo.
Anila ndoqi pasionin dhe bashkëshorti ishte një shtysë e fortë për këtë vendim. Dhe duket se fati u buzëqeshi falë punës së pareshtur. Ngritën pak nga pak, një agroturizëm, fermën, me 400 rrënjë ullinj dhe 300 agrume, si dhe bujtinën me 9 dhoma. Në bashkëpunim edhe me fermerë të zonës sot prodhojnë në mënyrë artizanale disa produkte si çajra bimorë, reçel apo salca me bimë jeshile të kopshtit përqark.
“Një nga aktivitetet e fermës tonë është ajo që quhet “ferma edukative”. Mbledhim lakra të egra në kopësht, bëjmë petë i pjekim në saç dhe bëjmë byrek. Përveç kësaj i bëjmë dhe salca të ndryshme që i gatuajmë me mishin e vendit”- tregon Anila.
Bujtina “Lord Barjon”, mirëpret kryesisht turistë të huaj, nga Gjermania, Franca, Hollanda dhe më pak nga Amerika dhe Kandaja. Anila dhe Gjini e masin punën e tyre duke gjurmuar me vëmendje netët e qëndrimit të tyre dhe rikthimet. Natyra përreth u jep gjithashtu një mbështetje të fortë.
“Rrethohemi nga 4 lumenj, nga male të larta. Ka aktivitete pa fund, prandaj dhe turistët rrinë gjatë. Mund të bëjnë hiking, rafting. Një pjesë tjetër bën dhe plazh në lumë. Janë të lidhur shumë dhe me pjesën agroturistike”- thotë Anila Çollaku.
Anila di ta veshë natyrën me etnografinë dhe historinë e zonës. Në hyrje ka ndërtuar një kënd muzeal, me veshje popullore 200 vjeçare të krahinës.
“Një nga veshjet është ajo e “Lord Bajronit”. Shalli është punuar me mëndafsh, 100% sipas origjinalit nga një familje shkodrane. Veshjet e tjera janë të Ali Pashës dhe ato të djalit dhe vajzës nga zona e Dërvenit”- tregon ajo.
Anila Çollaku, gruaja prej nga buron energjia që mban ndezur zjarrin në këtë bujtinë, përpiqet të ushqejë te fëmijët dashurinë për traditën dhe rrënjët e tyre. Pasioni i saj është kultivuar te fëmijët dhe dy prej tyre Arbëri dhe Xhovani mbajnë një peshë të rëndësishme në mbarëvajtjen e punëve. Ndërsa vajza Ëmbla, e cila ka mësuar të ecë në këtë tokë, e kredhur në veshjen popullore të zonës sillet rreth Anilës, si dikur Anila rreth nënës së saj Besa.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe për prindin kur fëmilja të ndjek. Unë ndoqa nënën time, ndoqa pasionin, energjinë e saj dhe bëra shumë mirë. Këtë do doja dhe për fëmijët e mi”- thotë Anila.
Prej më shumë së 30 vite më parë, atëherë një nxënëse gjimnazi, Anila gjente paqe në vargjet e poemës së Lord Bajronit, Çajld Haroldi pa e ditur se kjo paqe do i shfaqej mes këtyre viseve të bukura shumë vite me pas.
“Shumë njerëz na pyesin për emrin në fakt, përse e keni vënë “Lord Bajron”. Faktikisht kronologjia e ngjarjeve ka funksionuar çuditshëm. Më thërrisnin Anila e Lord Bajronit në gjimnaz. Recitoja gjithmonë pjesë nga poema “Çajld Harold” e Bajronit dhe sot pas kaq vitesh më thërrasin Anila e “Lord Bajronit”. Unë nuk di se si kanë rrjedhur ngjarjet por janë lidhur kaq këndshëm me njëra tjetrën”- rrëfen Anila Çollaku, administratoree bujtinës “ Lord Bajron” në Tepelenë.
Ecën e sigurt sot Anila në një rrugëtim edhe pse jo të lehtë dhe shpeshherë shumë të mundishëm, sepse pasioni është ajo karroja që tërheq punën e saj./Voa
Nuk na shpjegove pak,ate toke ku zhvillove agroturizem,e trashegove,e bleve,e morre me ligjin e Sales,apo thjesht e zure??
Përgjigju