Pas udhëtimit në 5 qytete te vendit, Korça është stacioni i fundit i ekspozitës “Shqipëria 1921”, me fotografi të rralla të Eugène Pittard , antropolog dhe akademik i njohur zviceran.

Kuratori Elton Koritari, theksoi se veçantia e veprës së Pittard qëndron në mënyrën autentike të dokumentimit të realitetit shqiptar.

“Fotografitë nuk paraqesin njerëz të pozuar në studio, por momente të jetës së përditshme, të kapura me syrin e një antropologu dhe humanisti”, thotë Koritari.

Ai nënvizoi idhjen e veçantë që Pittard dhe bashkëshortja e tij, shkrimtarja Hélène Pittard, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger, kishin me Korçën.

“Në shkrimet e saj, ajo e përshkruan qytetin si një vend mikpritës dhe kulturor, ku u pritën me lule dhe me këngë në gjuhën frënge”, shpjegon Koritari.

E pranishme në ceremoni, ambasadorja zvicerane, Ruth Huber foli për marrëdhënien e djeshme e të sotme mes dy vendeve.

“Pittard ishte gjithashtu një arkeolog dhe antropolog dhe mbështeti pavarësinë e Shqipërisë 100 vjet më parë dhe dha fonde për Kryqin e Kuq. Ka shumë gjëra që mund të themi për historinë, por ka shumë gjëra që lidhin sot këto dy shtete, në projektet e ndryshme që Zvicra ka me Shqipërinë në fusha të ndryshme duke u nisur nga sektori i energjisë, sektori i shëndetit, shërbimet sociale, aftësitë profesionale, zhvillimin, fuqinë dhe rritjen e qeverisë ku ne mbështesim çdo ministër të këtij shteti”.

Ekspozita “Shqipëria 1921” do të qëndrojë e hapur për disa ditë, ndërsa në sheshin para galerisë, vizitorët në Korçë, mund të përjetojnë Shqipërinë e shek. XX përmes instalacioneve, videoprojeksioneve, animacioneve.