TIRANË- Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Mekanizmin Mbrojtës të Bashkimit Europian, për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Kryeministri Edi Rama e cilësoi si një hap shumë të rëndësishëm dhe një lehtësim të madh, nisur nga fakti që vendi ynë është përballur jo pak herë me fatkeqësi natyrore, jo vetëm nga zjarret, apo edhe tërmeti.

“Falë ndihmës së komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Çekia u përkisnin këtij mekanizmi. Evropa këtë mekanizëm e ka ngritur për të përballur së bashku ndikimin e ndryshimit të klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq, por për të përballur bashkë krizat e rënda. Ky mekanizëm është në krye të përpjekjes për të garantuar mbështetje të madhe për Ukrainën. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbrojtjes civile që funksionon me këtë mekanizëm është një hap domethënës dhe një lehtësim i madh për ne duke pasur parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë por edhe për të dhënë. Dua të falenderoj komisionerin. E pamë të udhës që dorëzimin e letrës së interesit për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë union ta bëjmë edhe publikisht nëpërmjet meje..”, tha Rama.

Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç tha se e mbështet vendimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar te ky mekanizëm.

“Aeroplani nga Greqia që erdhi për të shuar zjarret në Sazan, ajo që mund të mësojmë nga këto fatkeqësi, por edhe të tjera, si përmbytje apo zjarre, gjëja e rëndësishme është që Shqipëria ka pasur mundësinë të mbështetet te solidariteti Europian, mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile, përmban edhe disa shtete të tjera pjesëmarrëse, Islanda, Norvegji, Turqi, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, disa mungojnë dhe njëra prej tyre është Shqipëria, ju sot keni vendosur që të më dorëzoni kërkesën zyrtare që Shqipëria të bëhet shtet pjesëmarrje të mekanizmit për Mbrojtjen Civile. Unë e mbështes, që Shqipëria të ketë mundësi të jap solidaritetin e vet kur ka nevoja, do të vijojmë punën tuaj dhe më lejoni që t’ju dorëzoj një rrugëtim që ne mendojmë që duhet ta përmbushim duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin”, tha Lenercic.

Mekanizmi  i mbrojtjes civile synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore. Themeluese e agjencisë është Komisioni Evropian (KE) i cili luan rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj katastrofave duke kontribuar me mbi 75% të kostove të transportit. Përveç shteteve anëtare të BE-së, aktualisht janë edhe gjashtë shtete tjera pjesëmarrëse në këtë mekanizëm duke filluar nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Islanda, Norvegjia dhe Serbia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:34
Fondet për rindërtimin e tërmetit, Komisioneri: Janë dhënë 75 mln euro, nesër do vizitoj disa struktura

Gjatë konferencës Komisionieri u pyet lidhur me fondet e shpenzuara të BE-së, ku ky i fundit u shpreh se fondet për rindërtimin e tërmetit janë shpenzuar mirë.

'Nesër në mëngjes unë do të shkoj për vizitë në disa struktura që janë financuar nga BE për rindërtim. Do të shkoj në një kopsht në Durrës, që gjithsej 75 mln euro janë dhënë nga fondet dhe të 11 bashki kanë përfituar nga këto fonde. Në këtë mënyrë rreth 20 mijë nxënës dhe mësues përfitojnë nga këto fonde pas tërmetit.

Nga informacionet që kam unë, fondet janë shpenzuar mirë, jo të gjitha sepse nuk kanë përfunduar proceset.'- tha komisioneri ndër të tjera.

Ora 16:31
Shqipëria pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes së BE, Rama: Nuk është për të qarë hallin

 

Çfarë mund të japë Shqipëria, sa kapacitete ka Shqipëria dhe a do përfitojë tashmë që është pjesë e këtij mekanizmi?- kjo ka qenë pyetja e drejtuar kreut të qeverisë në konferencën për shtyp me komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic. Pyetjes së drejtuar Rama iu përgjigj duke thënë se është një mekanizëm normal pasi e bëjnë edhe vendet e fuqishme.

'Ky mekanizëm është ndërtuar nga vendet e BE, për të përballuar sëbashku momente kritike. Që do të thotë, kur flasim për zjarr që bie dhe jep përmasa për një sërë arsyesh e për këtë në Shqipëri vjen një apo dy apo tre mjete nga ky mekanizëm, kjo nuk është për të qarë hallin se këtë e bëjnë të gjithë. Këtë e bëjnë edhe vendet më të fuqishme.

Kjo nuk është çështje dëshire se duam ne dhe do futemi në këtë union, kjo vjen si rezultat si reformave që kemi bërë, agjensia e reformave civile i ka parametrat për tu përmirësuar. Përmirësimi ndodh jashtë syve të publikut jashtë syve tuaj. Komisioneri sot do të vizitojë qendrën e Koordinimit. Ne kemi bërë ndryshim kolosal të strukturës të mbrojtjes civile.'- tha Rama.