Kreu i 'Shqipëria Bëhet' nëpërmjet një video reagimi të publikuar në rrjetin e tij social, ka bërë të ditur se partia e tij ka depozituar një projektligj për të hequr 20%-shin e tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet e shportës ushqimore.

Në një video të publikuar në rrjete sociale Adriatik Lapaj teksa mban në dorë projektligjin e firmosur nga Ana Dajko i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që ta votojë këtë projektligj.

"Dy metra gënjeshtar! Ka plot 13 vite që ka ardhur në pushtet me këtë premtim dhe nuk e ka mbajtur. Ndaj ne e sollëm të gatshëm projektligjin për heqjen e 20% tatimit mbi vlerën e shtuar për produktet e shportës ushqimore.

Dhe konkretisht për vezën, për bukën, për qumështin, për miellin, për orizin,etj. Edi Rama votoje, pasi ke sot tatimin mbi vlerën e shtuar më të lartë në rajon për ushqimet e shportës", thotë Adriatik Lapaj teksa mban në dorë projektligjin e firmosur nga përfaqësuesja në Parlament e Lëvizjes 'Shqipëria Bëhet'.