Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Bruksel një takim me homologen rumune, Oana-Silvia Țoiu.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe vullneti për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe theksoi angazhimin për bashkëpunim në funksion të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor.

Postimi i plotë i Hoxhës në X

“Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe afatgjata mes Shqipërisë dhe Rumanisë, duke nënvizuar vendosmërinë tonë të përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të përbashkët dhe në dobi të qytetarëve tanë.

Shpreha mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer të Rumanisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ritheksova angazhimin tonë për të intensifikuar bashkëpunimin në mbështetje të stabilitetit rajonal, forcimit të ndërlidhjes dhe të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor.

Diskutimi ynë vuri gjithashtu në pah rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në arsim, shkëmbimeve mes njerëzve, si edhe bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me qëllim shfrytëzimin e plotë të potencialit të madh të partneritetit tonë dypalësh.

Në këtë drejtim, ramë dakord të forcojmë më tej bashkëpunimin kulturor si një mënyrë domethënëse për të thelluar miqësinë dhe partneritetin afatgjatë mes vendeve tona, si një investim i rëndësishëm për të ardhmen tonë të përbashkët europiane dhe lidhjet mes popujve tanë.”


Lajmi kryesor:

Bruksel/ Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor takohen me ato të BE-së, Kos: Zgjerimi prioritet! 200 mln euro mbështetje për Shqipërinë dhe Malin e Zi