TIRANË, 22 Dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Në vijim të turit "Shqipëria Dhuron", ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ishte sot në Kukës në një aktivitet për fëmijët me aftësi të kufizuara, gjatë të cilit Shërbimi Social Shtetëror dhe futbollistët e ekipit të Kukësit shpërndanë dhurata për festat e fundvitit.
Ministri Veliaj falenderoi Prefektin e Qarkut të Kukësit, Safet Gjici, si dhe ekipin e qytetit që iu bashkuan nismës "Shqipëria Dhuron", duke theksuar se viti që po lëmë pas ishte një vit pozitiv për Shërbimin Social Shtetëror.
"Më kujtohet një vit më parë, kur sapo kishim nisur punë dhe mësuam se pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën ekonomike nuk jepeshin prej muajsh. Ndaj më vjen mirë që, për herë të parë, këtë vit kemi normalizuar situatën dhe jo vetëm kemi paguar në kohë të gjitha pagesat e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar, por qeveria dha edhe një shpërblim për fundvitin", deklaroi në fjalën e tij Veliaj.
Ai shtoi se Qarku i Kukësit është një nga zonat më të thella në vend, ku vështirësia për punë është e madhe, por megjithatë ka mundësi zhvillimi. "Kampioni i vërtetë nuk është vetëm ai që bën gol, por ai që ngre kupën në sytë e këtyre fëmijëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët duan mbështetje, ndaj u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuojnë për ta", tha ministri Veliaj.
Gjithashtu, ai theksoi se ky vit ishte hera e parë ku skema e ndihmës ekonomike u pastrua nga abuzimet, çka do të thotë më shumë para për njerëzit që janë realisht në nevojë. "Të gjithë skeptikëve, iu them se këto para janë për nevojtarët, duke larguar ata që përfitonin pa të drejtë. Prandaj, falenderoj Shërbimin Social Shtetëror në Kukës për punën e bërë", tha Veliaj, duke shtuar se të rinjtë sjellin risi e profesionalizëm. /a.ke/












