TIRANË – Kryeministri Berisha gjatë një takimi me prefektë dhe kryetareët e këshillave të qarqeve në vend ka deklaruar se brenda këtij viti në të gjitha fshatrat dhe komunat e Shqipërisë do të happen zyra me internet falas. Ky shërbim, sipas Berishës do të sigurohet nga Posta Shqiptare.
“Në një afat kohor dy mujor në çdo fshat e komunë të vendit, të mund të krijojmë 1 200 zyra interneti falas këtë 100 vjetor të Pavarësisë. Jemi zotuar se ky 100 vjetor do jetë viti i Shqipërisë dixhitale. Kështu, bëhemi de fakto një nga vendet më të pakta në botë që japim internet falas për cdo komunitet. Do të gjendet mënyrat që internetit t’i bëhet një ulje maksimale”, tha kryeministri.

Kryeministri dhe pas tij edhe drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea kërkuan nga prefektët që të sigurojnë ambjente të posacme, kryesisht në shkolla për hapjen e këtyre zyrave.
“ Do të krijojmë sportelin unik të të gjitha shërbimeve publike, e kjo nuk mund të jetë tjetër përvecse dixhitale”, tha Berisha.

Agjencia e Postës ka marrë iniciativë për të ofruar internet falas përvec 500 zyrave të saj dhe në 1 200 pika të tjera, në mbarë vendin.
(aq/shqiptarja.com)