TIRANE- Shqipëria për vitin 2013 nuk ka shënuar asnjë progres përsa i përket lirive në botë, ndërkohë që në këtë linjë ka qënë dhe shteti më i ri Kosova. Duke u renditur në këtë mënyrë përkrah Bosnjës por dhe Bengladeshit, Burcina Fasos e Kolumbisë, pa arritur madje as Serbinë që klasifikohet në listën e vendeve të lira. Kështu, Freedom House, me seli në SHBA, në raportin më të ri për liritë në botë, thekson se viti 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në Euroazi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie. Kjo është rënia me radhë më e madhe në 8 vitet e fundit. Në raport theksohet se veçanërisht të dukshme ishin zhvillimet në Egjipt, që ka shënuar rënie në institucionet demokratike pas grushtit ushtarak të shtetit.

Pengesa serioze në të drejtat demokratike ka pasur edhe në vendet e mëdha, me ndikim politik, përfshirë këtu Rusinë, Ukrainën, Azerbajxhanin, Turqinë, Venezuelën dhe Indonezinë. Në raportin vjetor “Liria në botë 2014” të publikuar nga organizata Freedom House, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, me ç’rast në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me notën 4. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë. Nota 1 paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët. Në raportin më të ri, Shqipëria klasifikohet si vend po ashtu “pjesërisht i lirë”, me nota 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile. Shqipëria, po ashtu, ka mbetur në vendin identik sikur ishte në raportin e para një viti.

Prej vendeve të tjera në Ballkan, klasifikim “pjesërisht i lirë” i është dhënë Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, me nota të ngjashme si Shqipëria (3 për të drejtat politike, 3 për liritë civile). Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Sllovenia e ka notën më të mirë 1 në të drejtat politike dhe në liritë civile. Në këtë mënyrë vendet ballkanike, anëtare të BE, përfshirë dhe Serbinë që pavarësisht se shkaktoi të gjithga luftrat në rajon në fillim të viteve 90 dhe që hapi negociatat disa ditë më parë, janë shumë më mirë se Shqipëria.

Në raportin global për Liritë në Botë 2014, theksohet se qeveria e presidentit Vladimir Putin, e ka vazhduar trendin antidemokratik si brenda në Rusi, ashtu edhe jashtë saj. Në zhvillimet e brendshme, Rusia, sipas raportit, ka ndërmarrë aksione kundër minoritetit të ndjeshëm të LGBT-së (lesbike, homoseksuale, biseksuale dhe transeksuale) dhe kundër jorusëve etnikë, derisa qeveria e ka konsoliduar kontrollin e saj ndaj mediave. Jashtë Rusisë, qeveria e Putinit e ka udhëhequr “një fushatë të frikësimit” kundër fqinjëve të saj, Ukrainës dhe Armenisë, për shkak se synonin lidhje më të afërta me BE.


Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)