NIKSIC, Mali i Zi - Shqipëria e vajzave në futboll e nisi në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese të Botërorit 2027, duke triumfuar në transfertë me rezultatin 1-2 ndaj Malit të Zi dhe duke siguruar tre pikë shumë të rëndësishme në Grupin 1. Të dy golat për Kombëtaren e drejtuar nga Armir Grima u realizuan nga kapitenia Megi Doçi, në një ndeshje që prodhoi jo vetëm tre gola, por edhe emocione të shumta përgjatë 90 minutave.
Trajneri Grima i besoi formacionin titullar këtyre lojtareve: Antigoni Hyska (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Alma Hilaj, Arbenita Curraj, Ezmiralda Franja, Mikaela Metalla, Fortesa Berisha, Ilarja Zarka, Qëndresa Krasniqi dhe kapitenia Megi Doçi.
10 minutat e para ishin të kontrolluara dhe të barabarta nga të dyja ekipet. Mali i Zi krijoi një rast të rrezikshëm, por topi u kontrollua mirë nga portierja Hyska.
Mundësia më e mirë për skuadrën tonë erdhi në minutën e 17-të me Fortesa Berishën, e cila hyri nga e djathta në zonë dhe goditi, por topi u prit nga portierja kundërshtare. Edhe në minutat në vijim, kuqezezat patën disa raste të mira për të kaluar në avantazh me Berishën, Krasniqin dhe Doçin, por nuk arritën të finalizonin. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.
Fraksioni i dytë nisi me një moment të rrezikshëm nga përfaqësuesja malazeze, por ishim me fat. Në minutën e 51-të, skuadra jonë ishte pranë golit të avantazhit. Krasniqi krosoi në zonë, gjeti Doçin, e cila goditi me kokë, por portierja priti sërish.
Pak minuta më vonë, vajzat tona humbën një tjetër shans të mirë me Franjen. Pas një kombinimi të bukur, Krasniqi pasoi me kokë për Franjen, e cila gjuajti mbi traversë.
Ekipi ynë nuk u ndal në kërkim të golit dhe në minutën e 64-t krijoi një tjetër mundësi të artë për epërsinë. Krasniqi pasoi për Fortesën, por topi u ndal nga portierja. Në momentin tonë më të mirë, vendaset kaluan në avantazh me golin e realizuar në minutën e 67-të nga kapitenia Kuc.
Barazimi nga skuadra jonë erdhi shumë shpejt, pas tre minutash, falë golit të kapitenes Doçi. Krasniqi dërgoi bukur topin në zonë, ku Megi Doçi ndodhej në vendin e duhur dhe realizoi për 1-1.
Në minutën e 76-të erdhi edhe goli i avantazhit për Shqipërinë. Sërish protagoniste është Megi Doçi, e cila shënoi një supergol nga goditja e dënimit, duke vulosur rezultatin 1-2 për Shqipërinë.
Një fitore me karakter, besim dhe shumë dëshirë nga skuadra jonë, që e nisi këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Shqipëria e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Botërorit kundër Çekisë më 7 mars, në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Renditja në Grupin 1
Komente










