Ditën e sotme qarkulluan disa lajme të cilat pretendonin se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, në emër të Shqipërisë i ndaloi hyrjen në vendin tonë ministres së Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, pas kritikave që kjo e fundit bëri disa ditë më parë ndaj kryeministrit Edi Rama, për editorialin e përbashkët me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë se, atëherë kur Vuçiçin Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, deklaroi Gërvalla pak ditë më parë.
Thelbi i editorialit të përbashkët mes Ramës e Vuçiç ishte se Shqipëria dhe Serbia pranojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian edhe pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse të unionit.
Por këto lajme janë përgënjeshtruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili në një përgjigje të dhënë për një media në Kosovë, ka mohuar pretendimet.
Malaj ka thënë se raportet Shqipëri-Kosovë janë të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse dhe se nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë.
“Ambasada nuk konfirmon asgjë të tillë. Në media qarkullojnë shpesh hamendësime nga më të ndryshmet, të cilat ne nuk i komentojmë më tej. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë. Marrëdhëniet tona me Kosovën dhe me qeverinë e saj janë të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, siç është theksuar së fundmi edhe nga Ministri Hoxha në bisedën e zhvilluar me Ministrin Konjufca”, ka thënë Malaj për mediat në Kosovë.
Kujtojmë se sot në disa media qarkulluan lajme se ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha kishte urdhëruar ambasadorët e Shqipërisë në rajon, që të moj krijohej asnjë mundësi që Gërvalla të ishte takim në Shqipëri. Kjo porosi e Hoxhës supozohej të ishte dhënë për Malajn.
“Si mundet të guxojë ajo të kritikojë kryeministrin tonë? Duhet të bëni kujdes që Gërvallës mos i krijohet asnjë mundësi për takim zyrtar në Shqipëri”, pretendohej nga disa media se i kishte thënë ministri Hoxha ambasadorit shqiptar në Prishtinë, Petrit Malaj.
Komente











