“Ligje me porosi”, “tenderë të paracaktuar”, “investime strategjikë apo klienteliste”.  Për të shmangur praktika të tilla, rruga drejt Bashkimit Evropian po e detyron Shqipërinë të hartojë ligje që sfidojnë realitetin e që mund të duken të pazakonta. E tillë është edhe iniciativa e fundit e qeverisë, e cila ka sjellë në Kuvend një projektligj për lobimin.

Ligji ka për qëllim të luftojë korrupsionin dhe të qartësohet se kush ndikon tek vendimet që marrin zyrtarët.

Shtylla kryesore e draftit ligjor është krijimi i Regjistrit të Lobimit, një bazë të dhënash elektronike dhe publike që do të administrohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP).

Çdo qytetar mund të shohë kush lobon, për llogari të kujt dhe cilët zyrtarë publikë janë kontaktuar.Askush nuk mund të ushtrojë aktivitet lobimi pa u regjistruar paraprakisht. Lobistët duhet të deklarojnë burimet financiare dhe shumat e shpenzuara për aktivitetet e tyre çdo gjashtë muaj.

Por jo të gjithë mund të lobojnë sipas këtij ligji. Ligji vendos barriera të forta për të mbajtur larg individët me rekorde problematike.

Ata që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për krime të rënda (si vrasja, terrorizmi, ose krimi i organizuar) ndalohen përgjithmonë.

Personat e dënuar për vepra penale në fushën e zgjedhjeve ose korrupsionit ndalohen për 5 vjet.

Individët ose subjektet që nuk kanë paguar detyrimet tatimore apo sigurimet shoqërore ndalohen për 3 vjet.

Nuk lejohet të lobojnë subjektet në proces falimentimi, likuidimi, ose ata që kanë pasuri të konfiskuara.

Gjithashtu parashikohet dhe "Periudha e ftohjes" për ish-zyrtarët. Për të shmangur konfliktin e interesit, ligji ndalon ish-zyrtarët e lartë të bëhen lobistë menjëherë pas lënies së detyrës.

Ish-ministrat dhe ish-deputetët nuk mund të ushtrojnë veprimtari lobimi për një periudhë 2-vjeçare nga përfundimi i mandatit të tyre.

Ky projektligj shënon një hap drejt standardeve evropiane, ku lobimi nuk shihet më si një aktivitet i dyshimtë, por si një proces i rregulluar që mbron interesin publik nga ndikimet e fshehta. Tashmë mbetet në dorën e Kuvendit për ta kthyer këtë dokument në një mbrojtje reale kundër korrupsionit.