Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.
“Dua të kujtoj se kohë më parë në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik që të bëjë edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorin. Gjatë rrugës, na u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës që ne i kemi, sigurisht, të rregulluara me një kuadër ligjor. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh pikërisht këtë marrëdhënie të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me Eni që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht potencë e madhe që ka edhe prezencën e vet në Shqipëri. Folëm për një bashkëpunim strategjik me krijimn e këtij operatori të ri që do të marrë përsipër edhe krijimin e rezervës strategjike të naftës. Shqipëria s’do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara. Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjell sot në firmosjen e këtij hapi të parë në zyrtarizimin e procesit të kompanisë”, tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se synohet që pa hyrë gushti, të kryhet edhe regjistrimi i kompanisë.
“Me firmosjen e këtij memorandumi hapim rrugën për të realizuar atë që pa hyrë gushti, të rikthehemi këtu për të deklaruar regjistrimin e kësaj kompanie të re që do të jetë aleat shumë i rëndësishëm i publikut shqiptar dhe garant i rëndësishëm i së nesërmes falë këtij partneritti të ngushtë me Italinë dhe ekselencës që është Eni”, tha kryeministri.
Përfaqësuesi i Eni S.p.A., Claudio Descalzi, tha se ishte një mesazh i kryeministrit që hodhi idenë e bashkëpunimit.
“Ishte pikërisht ai që e themeloi këtë ide për të bërë bashkë nevojat e një vendi me teknologjinë. Besoj fort te kryeministri dhe i thashë po, e bëjmë. Ndërkohë që unë e thashë, u bë realitet dhe ai gati-gati e mendonte që gjëja ishte e bërë. Në këto 3 muaj që bënë bashkë ministrat, kolegët e mi, u thashë që do të më kishte pëlqyer që para verës të vija këtu dhe të tregoja diçka të kryer”, tha përfaqësuesi duke shtuar se po punohet për linjat e reja të transmetimit që do të lidhin Italinë me Shqipërinë.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se kjo marrëveshje lidhet me zhvillimin ekonomik sepse furnizimi i sigurt me naftë dhe energji elektrike nënkupton siguri për produktin e çmimet.
“Ambicia jonë është që të krijjmë ekselencë në këtë treg dhe kjo ka nevojë për studim të thelluar, të dhëna që duhet të jenë të bauzara në fakte dhe analiza të ekspertëve të kësaj fushe. Ne do të bëjmë vlerësime të plota teknike, ligjore e financiare që në harkun kohor të 3 muajve të kemi një ide dhe plan biznesi të strukturuar për një kompani të strukturuar që u përgjigjet nevojave të tregut të brendshëm. Krijimi i kësaj kompanie është me synimin për ta kthyer shtetin në fitimprurës. Duam të krijojmë kompani shtetërore që përdorin kapacitetet shtetërore dhe rrisin të ardhurat në ekonomi”, tha ministrja.
Ndërsa sipas ministrit të Energjisë, Enea Karakaçit, reforma përafron Shqipërinë me standardet e BE.
“Kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet europiane sepse përafron legjislacionin. Mund të përbëjë një instrument të rëndësishëm për forcimin e sistemeve, magazinimit dhe stoqeve. Sot po marrin hapin e duhur për të studiuar me seriozitet të gjitha alternativat për zhvillim. Shqipëria po ndërton sot themelet e një sigurie energjitike”, u shpreh ministri.
Lajm në përditësim...
Komente











