Shqipëria ka mirëpritur sot armëpushimin 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm për uljen e tensioneve në Gjirin Persik.
Në një deklaratë zyrtare të botuar në gjuhën angleze , Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se Tirana e sheh marrëveshjen e ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump, si një hap konstruktiv dhe të nevojshëm për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe humbjen e jetëve njerëzore.
Në deklaratë, Tirana zyrtare, kërkon respektim të plotë të armëpushimit nga të gjitha palët e përfshira, duke e konsideruar këtë si kusht thelbësor për stabilitetin në terren.
Në mënyrë të veçantë, në reagim theksohet se Hezbollah duhet të ndalë çdo veprim armiqësor ndaj Izraelit dhe të veprojë në përputhje me autoritetin e qeverisë së Libanit.
Sipas Ministrisë, ky moment duhet shfrytëzuar për të hapur rrugën drejt një dialogu të mirëfilltë mes palëve, me synimin për të arritur një ulje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të tensioneve.
Shqipëria inkurajon gjithashtu partnerët ndërkombëtarë që të ndërtojnë mbi këtë zhvillim dhe të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar për arritjen e një paqeje të sigurt dhe afatgjatë në rajon.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme
" Shqipëria e mirëpret armëpushimin 10-ditor të shpallur mes Izraelit dhe Libanit, të ndërmjetësuar nga Presidenti Trump, si një hap konstruktiv dhe të nevojshëm drejt uljes së tensioneve dhe parandalimit të humbjeve të mëtejshme të jetëve njerëzore. Ndërsa bëjmë thirrje për respektimin e plotë të armëpushimit nga të gjitha palët, nënvizojmë se Hezbollah duhet të ndërpresë çdo veprim kundër Izraelit dhe të veprojë në përputhje me vendimet dhe autoritetin e qeverisë libaneze. Shpresojmë që ky zhvillim të ndihmojë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë mes Izraelit dhe Libanit, duke hapur rrugën për një ulje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të tensioneve. Shqipëria inkurajon të gjitha palët dhe partnerët ndërkombëtarë që të ndërtojnë mbi këtë moment dhe të punojnë në mënyrë të koordinuar për arritjen e një paqeje të sigurt, të qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon"
Armëpushim 10-ditor ka hyrë në fuqi së fundmi dhe mund të ndalë luftimet që vazhdojnë prej 6 javësh midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez të Hezbollahut.
Komente










