Auditimi i brendshëm po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në administratën publike shqiptare, teksa qeveria synon forcimin e kontrollit financiar dhe afrimin me standardet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi gjatë konferencës “Fuqizimi i Auditit të Brendshëm” se reforma në këtë sektor mbetet një prioritet i rëndësishëm për menaxhimin financiar publik dhe procesin e integrimit europian.
Konferenca u organizua nga Instituti i Audituesve të Brendshëm (IIA Albania), anëtar i Institutit Global të Audituesve të Brendshëm (IIA Global). Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe z. Anthony Pugliese, President dhe Drejtues i Përgjithshëm i IIA Global.
Në fjalën e tij, Malaj sqaroi disa prej hapave të ndërmarra nga Ministria e Financave për modernizimin e sistemit të auditimit të brendshëm dhe afrimin e tij me praktikat ndërkombëtare.
3 prej tyre janë: hartimi i manualit të ri të auditimit, hapja e procesit të certifikimit profesional për audituesit e brendshëm si dhe adoptimi i Standardeve Globale të Auditimit të Brendshëm në bashkëpunim me Institutin e Audituesve të Brendshëm në Shqipëri.
Këto hapa, tha Ministri, përbëjnë një dëshmi të qartë se Shqipëria po ndërton një sistem auditimi që bazohet tek cilësia, integriteti dhe besueshmëria.
Malaj u ndal edhe te Kapitulli 32 i negociatave me Bashkimin Europian për kontrollin financiar, duke e cilësuar një nga kapitujt më të rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve publike.
“Ne udhëheqim disa kapituj dhe ndër ta, Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar – mbetet një nga më të rëndësishimit sa i takon konsolidimit të shtetit ligjor dhe forcimit të institucioneve publike. Përmbushja e standardeve të këtij Kapitulli kërkon sisteme më efektive të kontrollit të brendshëm dhe auditim të pavarur e profesional. Kjo nuk është thjesht një kërkesë teknike e procesit të integrimit, por një domosdoshmëri për të ndërtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe për të garantuar menaxhimin më të mirë të financave publike”, u shpreh Malaj.
Një administratë moderne, vijoi më tej Ministri, nuk matet vetëm nga politikat që harton, por edhe nga aftësia për të monitoruar, kontrolluar dhe përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si këto politika zbatohen.
Në përfundim të fjalës së tij, z. Malaj theksoi se Ministria e Financave mbetet e angazhuar në ndërtimin e një auditimi të brendshëm që gëzon autoritet profesional, pavarësi funksionale dhe rol aktiv në forcimin e qeverisjes publike.
Komente











