Shqipëria në Panairin e Turizmit në Berlin – Guri i fundit i pazbuluar i Europës

TIRANË - Në Berlin u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Turizmit ITB, Berlin (4-8 mars), panairi më i madh i turizmit në Europë dhe një nga më të mëdhenjtë në botë.
Shqipëria u përfaqësua këtë herë me 18 operatorë turistikë ose dyfishin e numrit të një viti më parë, si dhe me një imazh të përmirësuar nën logon "Europe's last unturned stone" (Guri i fundit i pazbuluar i Europës).
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së panairit ishte ministri Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se, "Panairi i Turizmit në Berlin është një nga panairet më prestigjiozë në botë përsa i përket kësaj industrie. Ne jemi të prezantuar në mënyrë dinjitoze dhe me dyfishin e numrit të operatorëve turistikë në krahasim me vitin e kaluar. Dhe imazhi është tejet i përmirësuar dhe besojmë që interesi i shfaqur është shumë herë më i madh ashti sikurse besojmë gjithashtu që numri i turistëve këtë stinë do të ketë një rritje me dy shifra. Jam i bindur që duhet të bëjmë më shumë për imazhin e Shqipërisë, për të afruar sa më shumë turizëm nga vende si Gjermania, Sllovakia, Çekia, Italia, Franca, apo vende të tjera që kanë një numër të madh turistësh dhe kanë një potencial shumë të madh për tregun shqiptar".
Stenda e Shqipërisë, e ngritur nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ?Agjensisë Kombëtare të Turizmit (AKT), qe përfaqësohej nga Drejtoresha Julinda Dhame, ishte e vendosur pranë fqinjëve të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Kroacia, por edhe Italia, tërhoqi vizitorë të shumtë të interesuar për mundësitë që ofron vendi ynë në këtë sektor.
Panairi i Berlinit është një platformë shumë e rëndësishme për prezantimin e vendeve pjesëmarrëse, përcjelljen e imazhit dhe promovimin e vlerave turistike, por edhe një mundësi shumë e mirë për agjensitë e turizmit nga e gjithë bota që të shkëmbejnë eksperiencat dhe të vendosin ura të reja bashkëpunimi, si dhe për operatorët turistikë për lidhjen e kontratave të reja me homologë nga vende të ndryshme.
Këtë vit Shqipëria pret të shënojë një hap cilësor në sektorin e turizmit, duke e shtrirë vëmendjen jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe në rritjen e cilësisë së tyre dhe zgjerimin e hartës së shteteve nga të cilët do te mirëpresë turistë gjatë një sezoni që do të zgjasë të gjithë vitin, duke promovuar lloje të ndryshëm turizmi krahas atij bregdetar. /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare