Protestat që kanë përfshirë vendin në mënyrë të dhunshme pritet të jenë në qendër të debatit politik në Kuvend këtë të enjte. Pas shtyrjes së seancës së kaluar, deputetët do të mblidhen më 22 tetor, në orën 10:00, në një seancë ku pritet të dominojë protesta dhe reagimi i policisë, sepse pika e parë e rendit të ditës që e ka siguruar Shqiptarja.com parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga Partia Demokratike.
Seanca vjen pas 8 ditësh protestash të shoqëruara me akte dhune dhe përplasje të paprecedenta mes protestuesve të maskuar dhe policisë.
Interpelanca me ministrin Demo ishte kërkuar më herët nga opozita edhe më herët, por ishte shtyrë me argumentin se ai sapo kishte marrë detyrën dhe i duhej kohë të njihej me çështjet e ngritura.
Sipas rendit zyrtar të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera.
Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka kërkuar gjithashtu interperlancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e sw enjtes do të shqyrtohen edhe disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.










Komente
Komento