Shqipëria progres gjatë vitit të fundit, por duhet përmirësuar shteti i së drejtës

TIRANË-Komisioni Evropian publikoi sot progres raportin për vitin 2014, për Shqipërinë. Ky progres raport vjen pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në qershor 2014.
Vendimi, thekson raporti, ishte një vlerësim për reformat e ndërmarra deri atëherë dhe inkurajim për të vazhduar më tej me implementimin e tyre.
Në progres raportin e publikuar sot nga Komisioneri Fyle, për herë të fundit në këtë post, pasi do të zëvendësohet nga austriaku Johannes Hahn theksohet se, në nëntor 2013, Komisioni filloi një Dialog të Nivelit të Lartë me Shqipërinë për ta ndihmuar në ruajtjen e fokusit në procesin e integrimit në BE dhe për të monitoruar progresin e reformave kyçe që duhen ndërmarrë me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësim.
Gjithashtu në raport thuhet se, në maj 2014 Shqipëria miratoi Udhërrëfyesin (Roadmap) ku parashtrohej struktura dhe reformat e parashikuara mbi kriteret kyçe. Pikërisht ky Udhërrëfyes do të jetë një instrument mjaft i nevojshëm për Shqipërinë për të implementuar dhe avancuar me reformat që kërkohen për rrugën drejt integrimit në BE.
Sipas Progres Raportit të Komisionit Europian, Shqipëria ka bërë progres gjatë vitit të fundit sa i përket gjyqësorit.
"Janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm përsa i përket reformës së gjyqësorit. Qeveria ka shfaqur vullnet politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korniza legjislative është forcuar dhe politikat për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit në nivel qendror janë përmirësuar. Lufta kundër krimit të organizuar po tregon një trend pozitiv edhe në fusha të tjera, si në intensifikimin e zbatimit të ligjit për kapjen e drogës dhe procedimin e krimeve të lidhura me të, luftimin e krimit ekonomik dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Gjithashtu disa hapa janë ndërmarrë edhe për përmirësimin e njohjes dhe respektimit të drejtave ligjore të komunitetit LGBT", thuhet në progres raport.
Por, në raport thuhet se, "vendi vazhdon të ketë të meta kryesisht në fushën e shtetit të së drejtës, ku duhet akoma shumë punë për ta përmirësuar gjendjen. Shqipëria do të duhet të veprojë me vendosmëri për të vazhduar reformën e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimit, ndjekur nga reforma gjithëpërfshirëse e gjyqësorit, për forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së tij, gjithashtu intensifikimin i bashkëpunimit me Komisionin e Venecias".
"Gjyqësori duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ne luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të merren masa efektive për të përforcuar politikat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke përfshirë komunitetin rom, mbrojtjen nga diskriminimi, zbatimi i të drejtave të pronësisë", theksohet në raport.
Gjithashtu në raport ka rezerva edhe përsa i përket respektimit të lirisë së shprehjes dhe e mediave, ku thuhet se qeveria dështoi të vepronte sipas prioriteteve të identifikuara.
"Të gjitha funksionet ligjore të Autoriteti i Medias Audiovizuale (AMA) duhet të rivendosen dhe të garantohet pavarësia e këtij institucioni në praktikë. Shqipëria duhet të vazhdojë me ndjekjen e reformave ekonomike që synojnë rritjen e konkurrencës dhe të marrë masa për uljen e nivelit të lartë të papunësinë, uljen e nivelit të informalitetit në ekonomi dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit", thekson progres raporti.
Është e rëndësishme, vijon raporti, "që procesi i reformave të shoqërohet nga qëndrueshmëria politike dhe debatet konstruktive mes qeverisë dhe opozitës. Është përgjegjësi si e qeverisë dhe opozitës që të sigurojnë zhvillimin e debatit parlamentar me qëllim kryerjen sa më efektive të funksioneve të tyre".
"Qeveria duhet të sigurojë mundësinë e opozitës për kryerjen e funksionit te saj thelbësor, kontrollin demokratik, por njëkohësisht opozita duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive në proceset demokratike. Kompromisi është çelësi për qëndrueshmërinë dhe çuarjen përpara të reformave. Ngritja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, duke bashkuar të gjithë palët e interesuara, do të ndihmojë në gjithpërfshirje në proces dhe në arritjen e konsensusit", thekson raporti.
/ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral