Kuqezinjtë e drejtuar nga shqiptar Gianni De Biasi realizuan një përmbysje të madhe 2-1 përballë Armenisë duke shënuar 2 gola në 5 minuta.
Ndeshja ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Shqipërinë, pasi rreshtimi i gabuar në aksionin e parë të miqve i kushtoi, teksa Mërgim Mavraj devijoi gabimisht një top të hedhur në zonë nga lojtari më i mirë i Armenisë, Mikitarian.
Goli çorientoi kuqezinjtë që mundë të kishin pësuar sërish në pjesën e parë, pasi u zhvendosën në sulm në kërkim të golit të barazimit duke lejuar hapësira në mbrojtje.
Në pjesën e dytë De Biasi vendos të bëjë ndryshime duke futur në fushë Lenjanin, Salihin dhe Gashin.
Ndryshimet rezultuan të frytshme, pasi Lenjani nga krahu i majtë fillimisht largoi një nga kundërshtarët me karton të kuq më pas furnizoi pa pushim sulmin
Në të 77’ Mërgim Mavraj shlyen gabimin në golin e parë duke barazuar me një goditje të saktë me kokë pas një krosimi nga e majta.
Barazimi shpërqendroi miqtë që ishin edhe me një lojtar më pak duke u rreshtuar keq në mbrojtje, aty përfiton ‘gjahtari’ i golit Shkëlzen Gashi që në të 82’ shënon me të njëjtën skemë si në golin e parë duke kaluar në avantazh kuqezinjtë që shpërthejnë stadiumin “Elbasan Arena” në festë.
Fitoja e ngjit Shqipërinë në vendin e dytë me pikë të barabarta me Danimarkën, 7 në 4 ndeshje. Ndërsa Portugalia pasi mundi Serbinë 2-1 ngjitet e para me 9 pikë.
Megjithatë çfarë do që të ndodhë Shqipëri është futur në valle për një vend në Europianin e Francës.
Goli i dyti , Shkelzen Gashi!
Posted by Digitalb on Sunday, March 29, 2015
Goli i pare, Mergim Mavraj
Posted by Digitalb on Sunday, March 29, 2015
(VIDEO: Dy golat e kombëtares)
Deklaratat e protagonistëve pas ndeshjes
Ora 22:00 Taulant Xhaka: Graniti më uroi për fitoren
“Për Shqipërinë është kënaqësi të luash. Gashi është sulmues tipik. E merituam fitoren, absolut, patëm shumë raste’ tha ia. I pyetur se a është xheloz Graniti sonte, ai e mohoi. “Edhe Graniti është i gëzuar dhe është krenar. Ai më uroi pas ndeshjes më tha ‘urime vëlla fitoren dhe suksese në të ardhmen’”.
Ora 21:47 Agolli: Ta nis rruga e kualifikimit
Një nga më të mirët në fushë për Shqipërinë ishte Ansi Angolli. Pas ndeshjes lojtari u shpreh se’jam i gëzuar që fituam, por përsa i përket kualifikimit mendoj që tani nis pjesa më e vështirë për Shqipërinë. Do të japim maksimumin për të realizuar ëndrrën” tha ai.
Ora 20:47 Trajneri armen: Fati dhe gabimet na penalizuan
Trajneri i Armenisë Bernard Challandes nuk i trembet shkarkimit pas humbjes me Shqipërinë, edhe pse ndeshjen e kishte në dorë deri në minutat e fundit. “Në pjesën e parë zhvilluam një ndeshje të mirë, por në të dytën nuk e mbajtëm ritmin duke pësuar dy gola të shpejtë. Në fund kishim një rast të mirë për të barazuar, por fati nuk ishte me ne” tha ai pas ndeshjes në Elbasan.
Ora 20:40 Duka: Po ëndërrojmë për EURO 2016
Presidenti i FSHF, Armand Duka ka filluar që të ëndërrojë pas fitores me Armeninë. “Fitorja është e të gjithëve, jo vetëm e De Biasit. Jemi në vendin e parë dhe nuk kemi përse të mos ëndërrojmë për kualifikimin në kampionatin Europian” u shpreh Duka.
Ora 20:37 Cana: Mavraj, lojtari i ndeshjes
Lojtari i ndeshjes për Shqipërinë në këtë ndeshjes është padyshim Mërgim Mavraj. Ndeshja kishte një rëndësi të vecantë, pasi mundëm një kundërshtar direket me 3 pikë që na afrojmë më shumë drejt Francës.
Ndeshja me Danimarkën do të jetë vendimtare për të ardhmen e Shqipërinë dhe objektivat. Kjo është fitorja më e madhe që kemi marrë në praninë time ekipin kombëtar” deklaroi kapiteni Lorik Cana pas ndeshjes.
Ora 20:33 Bushi: Duhen edhe 3 pikë për të shkuar në Francë
Menaxheri i ekipit kombëtar të futbollit, Alban Bushi pas ndeshjes deklaroi se “ndeshjen e fitoi De Biasi. Na duhen edhe 3 pikë për të shkuar në kampionatin Europian. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë që kemi nisur”.
Ora 20:30 Mavraj: Fitoren ia dedikoj babait
“Shyqyr Zotit që shënova dhe e ktheva ndeshjen, pasi gabova në golin që shënoi Armenia në fillim. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, por në të dytën morëm në dorë frenat e lojës duke krijuar shumë raste dhe shënuar golin e fitores. Shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen. Golin dhe fitoren ia dedikoj babait” deklaroi autori i golit të barazimit për Shqipërinë, Mavraj. Mbrojtësi mohoi edhe fjalët që u përhapën në fundin e ndeshjes për ndarjen nga jeta të babait të tij.
Ora 20:15 De Biasi: Shijova fitoren e parë si shqiptar
Pas ndeshjes trajneri i ekipit kombëtar të futbollit u shpreh i kënaqur për rezultatin, por jo për lojën, pasi sipas tij gabimi në fillim mund të ishte shmangur. “Shijova kthimin e rezultatit përmes një ndeshje fantastike që zhvilluam në fushë.
Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, teksa golin e Armenisë e falëm, në të dytën morëm masat duke kthyer gjithçka. Nuk mund të themi asgjë për kualifikimin, pasi vetëm kemi përfunduar turin e parë të ndeshjeve” deklaroi tekniku.
Ora 20:00 Gashi: E merituam fitoren
I lumtur me fitoren, jo aq shumë me faktin që nuk e nisi ndeshjen si titullar u shpreh edhe lojtari vendimtar për këtë ndeshje, sulmuesi
Shkëlzen Gashi që shënoi golin e fitores për Shqipërinë. “Jam shumë i kënaqur me fitoren, komplimente ekipit. Në pjesën e dytë zhvilluam një lojë shumë të mirë duke e merituar gjithçka”.
(Foto: Atmosfera në Tiranë në sheshin Skënderbej)
(Në foto: Atmosfera festive në sheshin Nënë Tereza)
(Foto: Atmosfera në Tirane në bulevardin Dëshmorët e Kombit pas mbarimit të ndeshjes)
Sfida Shqipëri-Armeni
90’ Armenia pranë barazimit, pas një krosimi nga këndi një nga lojtarët miq godet shtyllën, shpëton Shqipëria. Arbitri vërshëllen pas 3 minutave shtesë duke vulosur fitoren kuqezi.
82’ Lenjani kroson sërish nga e majta, sulmuesi Shkëlzen Gashi godet saktë me kokë duke shënuan golin e fitores.
77’ Krosim i bukur nga e majta në zonë, Mërgim Mavraj në kohën dhe vendin e duhur gjuan saktë me kokë duke barazuar rezultatin. Mbrojtësi shleu gabimin në momentin e autogolit.
(Momenti i shënimit të golit të barazimit nga Mavraj)
72' Cikalleshi godet serish shtyllën me një goditje të fuqishme me të majtën në hyrje të zonës.
71' Shqipëria merr frenat e lojës në dorë, Cikalleshi tenton të shënojë me një rrotullim të bukur, por topi ndalet nga portieri Berezovski.
70' Hambartsumyan ndërhyn keq ndaj Lenjanit, arbitri e largon me karton të kuq pas dy të verdhave.
65’ Goditje dënimi për Shqipërinë. Në mungesë të Mehës, ekzekutohet nga Gashi, por gjuajtja e fuqishme përfundon jashtë kuadratit.
63’ Pizzelli sheh daljen e Berishës jashtë porte dhe tenton një parabel nga 35 metra, por topi përfundon ngjitur mbi traversë.
57’ Shqipëria pretendon për një penallti me Cikalleshin, i cili rrëzohet në zonë ndihmuar edhe nga një mbrojtës mi, por për arbitrin është faull për Armeninë.
54’ I futur në fushë në pjesën e dytë Gashi nuk arrin të godasë si duhet një top të dhënë nga Lenjani duke humbur një rast të artë për shënim.
46’ Shqipëria tenton që të barazojë që në minutat e para të pjesës së dytë. Gashi, Kukeli dhe Lenjani janë zhvendosur në sulm që bashkë me Cikalleshin.
Nis pjesa e dytë e ndeshjes, Shqipëria nxjerr Abrashin dhe Memushajn, futen në lojë Lenjani dhe Gashi për t’i dhënë më shumë frymëmarrje sulmit.
Edhe kryeministri Rama inkurajon Kombëtaren për kthesën e madhe në pjesën e dytë.
“Të shpresojmë që skuadra do të çlirojë energjitë e veta ne pjesën e dyte dhe do te luaje futbollin luftarak qe i ka hije” shkruan ai.
-Mbyllet pjesa e parë në ‘Elbasan Arena’. Shqipëria ka dominuar ndeshjen, por Armenia kryeson, pas golit të shënuar në minutën e 4' nga Mavraj.
45’ Sërish Agolli kroson në zonë duke gjetur saktësisht sulmuesin Cikalleshi që godet bukur me kokë, por portieri mik e ndal, por ishte brenda vijës fatale. Detaji nuk u vërejt nga arbitrat.
44’ Goditje dënimi për Shqipërinë. Kroson Agolli në zonë, kapiteni Cana e devijon me kokë, por shumë larg portës.
42’ Rast i mirë për Armeninë për të shënuar golin e dytë. Mkhytarian driblon bukur Bysajn nga e majta, hedh topin në zonë, por aty nuk gjen asnjë nga shokët, shpëton Shqipëria.
33’ Gabojnë miqtë në mesfushë, rrëmben topin Cikalleshi që niset vrullshëm drejt portës, futet në zonë dhe godet fuqishëm nga një pozicion thuajse i pamundur, topi ndalet nga shtylla.
21' Kapiteni Lorik Cana ndëshkohet me karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Movsisyan në hyrje të zonës. Miqtë ekzekutojnë gjuajtjen e lirë, por pa rrezik, pasi mbrojtja ka larguar rrezikun.
19’ Tjetër rast i mirë për Shqipërinë për të shënuar. Është sërish Agolli që kroson nga e majta, këtë herë nuk është Cikalleshi, por Abrashi që godet me kokë, por sfera përfundon ngjitur me portën.
15’ Kroson bukur Ansi Agolli nga e majta në zonë, kërcen mbi mbrojtjen mike duke goditur me kokë Taulant Xhaka, por topi përfundon jashtë kuadratit.
4’ Mërgim Mavraj shënon në portën e tij autogol, Armenia befason Shqipërinë që në nisjen e ndeshjes, 0-1.Goli erdhi si rrjedhojë e aksionit individual të Mkhytarian, sulmuesi i Borussia Dortmund kroson ulët topin në zonë, Movsisyan godet drejt portës, topi devijohet gabimisht nga Mavraj në portën e tij.