Shqipëria mund të ketë së shpejti një rrjet fluturimesh me hidroplanë që do të lidhë destinacionet turistike brenda vendit dhe me shtetet fqinje, si Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë një fluturimi 20-minutësh nga Rinasi në Pogradec, ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, deklaroi se së shpejti hidroplanët mund të përdoren në funksion të turizmit.
Ai shoqërohej nga kreu i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, i cili tha se destinacione si Vlora, Pogradeci dhe Shkodra mund të lidhen me qytete të rajonit, si Janina, Korfuzi dhe Budva.
Megjithatë, projekti mbetet ende në fazën e përgatitjes. Për funksionimin e tij nevojiten infrastruktura bazë, si mole dhe pika të certifikuara uljeje e ngritjeje për hidroplanët.
"Nëse do të ishim praktikë dhe fleksibël, me mole të thjeshta dhe disa infrastruktura të certifikuara sipas standardeve, por jo shumë të kushtueshme, në bashkëpunim me bashkitë, kjo mund të bëhej realitet”, tha Maksim Et’hemaj.
Në fund të korrikut pritet të zhvillohet një fluturim demonstrues drejt Shkodrës, i cili do të shërbejë si test praktik për këtë model transporti.
"Do të ishte mirë që aty të mblidheshim me Enean, ministrin e Infrastrukturës, bashkitë e përfshira, për të nisur konkretizimin e këtij projekti”, tha Blendi Gonxhja.
Autoritetet dhe bashkitë e interesuara pritet të hartojnë një plan pune me masat teknike dhe rregullatore për zbatimin e projektit.
Komente











