Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë tre vende të Ballkanit Perëndimor që kanë potencialin të shpallen të sigurta për udhëtim të lirë drejt Bashkimit Evropian, thanë burimet diplomatike për Radion Evropa e Lirë.
Portugalia, e cila mban presidencën aktuale të BE-së, është duke përpiluar një listë të vendeve, të dhënat e të cilave tregojnë se janë të sigurta sa i përket infeksionit me koronavirus.
Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë thuhet se janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë për secilin prej këtyre vendeve të mërkurën dhe do të vendosin në përputhje me situatën e tyre epidemiologjike.
Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.
Në muajin maj, Këshilli i BE-së hoqi zyrtarisht kufizimet në udhëtimet jothelbësore për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar me të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës kundër koronavirusit. Shtetasit e vendeve të treta përfshijnë edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, qytetarët e atyre vendeve që nuk janë në listën e sigurt, kanë ende nevojë për pëlqimin e vendit pritës, ndërsa leja nuk kërkohet për ata që vijnë nga një vend që konsiderohet i sigurt.
Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin. REL/