‘Shqipëria turistike’/ Kanioni i Holtës, madhështia e shkëmbinjve të bardhë! Turistët: Udhëtim fantastik, ecëm në natyrë e shijuam notin në ujërat termale

Udhëtimi ynë drejt Kanionit të Holtës zgjat afro 1 orë e 40 minuta nga Tirana, në një distancë prej rreth 80 kilometrash. Duke ndjekur rrugën nacionale Tiranë-Gramsh, në afërsi të fshatit Gjergjovinë marrim kthesën majtas. Rruga drejt kanionit është e ngushtë, por kjo nuk pengon një numër të madh turistësh ta vizitojnë, kryesisht gjatë fundjavës. Pamja piktoreske me aromë fshati na shoqëron gjithë rrugës.

Dhjetëra makina të parkuara në afërsi tregojnë se kanioni po frekuentohet gjithnjë e më shumë. Fillimi i kanionit, apo gryka e tij të krijon ndjesinë e hyrjes si në një portë zanash. Format e veçanta shkëmbore, të krijuara nga ujërat e kristalta të lumit të Holtës, i japin këtij kanioni madhështi.

Vizitorët, grupe-grupe, zgjedhin të përshkojnë gjithë gjatësinë e kanionit që shkon deri në tre kilometër. Ai është gjerë rreth 15 metra dhe ka një lartësi prej rreth 150 metrash. Mes tij ka burime termale, nga ku janë krijuar pellgje që shkojnë në thellësi nga dy deri në tre metër. Të shumtë janë ata që të zhyten në ujërat e freskëta të Holtës. Gjatë udhëtimit takuam vizitorë nga Prishtina, të cilët janë të mrekulluar nga madhështia që natyra ka skalitur në Gramsh.

“Kemi ardhur nga Prishtina. Vizita jonë është ditore, sot kemi ardhur vetëm ta vizitojmë, të shohim, të hamë një drekë, të shohim natyrën e Shqipërisë. Jo, jo gjithçka mirë ishte. Kënaqësi që jemi bashkuar me njëri-tjetrin, prej vitesh nuk jemi parë. Tani është kënaqësi shumë e madhe.

Jam njohur përmes një vepre që ka bërë një shoku im gjeolog, ka bërë një studim dhe ka shkruar për Kanionin e Holtës dhe kam ardhur për ta vizituar, sot mu dha rasti.

Nga Cërriku, vijmë përherë, nga 4 herë, 5 ditë apo 6 ditë, si të vij terezia. Është gjë e veçantë, gjë e bukur, gjë e rrallë. Këtu është freskët, ka ujë të ftohtë, ujë të ngrohtë poshtë, është gjë e bukur. Kemi marrë gjëra me vete për piknik dhe do të rikthehemi sërish”, shprehen vizitorët.

Por, në gjithë këtë bukuri që natyra i ka falur kësaj zone, infrastruktura lë për të dëshiruar. 

“Rruga deri aty në hyrje ishte paksa e keqe, edhe kjo tjetra për t’u rregulluar. Investime duhen kudo, si kudo edhe këtu. Patjetër që do të rikthehemi, kam edhe patriotë të tjerë që duan ta shohin, unë do t’i

Vetëm rruga që është e parregulluar, të tjerat mirë janë”, thanë vizitorët.

Në kanion gjetëm një grup të madh polakësh. Të ardhur për të eksploruar Shqipërinë, mësuesit nga Polonia pranuan me kënaqësi sugjerimin e agjencisë që i solli. Dhe në fakt nuk u zhgënjyen aspak.

“Kemi ardhur nga Polonia, jemi grup mësuesish, 32 persona. Vizitojmë çdo ditë në vende të ndryshme dhe kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për Shqipërinë. Kemi zgjedhur të vijmë në Kanionin e Holtës pasi ishte sugjerim i agjencisë turistike, e cila na tha se nëse duam të shohim Shqipërinë e vërtetë, male dhe pamje të bukura. Nuk kemi hyrë akoma në kanion pasi njëherë po hamë drekë dhe më pas do të vijojmë. Kemi ardhur me makina Jeep dhe nuk kemi hasur asnjë vështirësi, kështu që nga A deri në ZH është një ekskursion fantastik”, u shpreh polakja.

Të huajt nuk shohin asgjë problematike tek Kanioni i Holtës. Gjithçka çfarë duan  është Shqipëria e egër dhe e paekslporuar.

“Ne donim të shihnim Shqipërinë e egër dhe për këtë arsye ishte sugjerim i agjencisë. Nuk shohim asnjë minus, ne shohim vetëm gjëra pozitive për këtë vend. Jemi me grupin e punës, grup mësuesish dhe ky udhëtim na i hapi shumë sytë rreth Shqipërisë dhe në të ardhmen do të rikthehemi me familjen sërish dhe do ta sugjerojmë”, u shpreh polakja.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët, por kryesisht në pranverë, verë. Në shpatet përgjatë rrjedhës së lumit gjenden shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve në mal.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë