Kjo është ndër ujëvarat më të bukura të Shqipërisë. Mban emrin e fshatit ku buron, Sotira.
Tashmë është shndërruar në një destinacion për turizmin e natyrës në Gramsh.
Por nuk është e vetmja.
Në fshatin pranë në Kushovë gjendet një nga pamjet më piktoreske e preferuar së fundi për të pasionuarit pas fotografisë.
Jemi nisur për në fshatin Kushovë të bashkisë Gramsh pasi në këtë zonë kultivohet levandoja, lulja e shumëkërkuar në tregun vendas e atë të huaj.
Për të arritur në destiancion duhet një makinë e lartë, pasi rruga është e asfaltuar deri në një segment të caktuar.
E kupton që po i afrohesh zonës lejla nga aroma e shpërndarë në ajër.
Fermeri Kujtim Shaliu është ai që na tregon më shumë për këtë bimë që sapo çel shndërrohet në panoramën më të kërkuar të fotografëve.
Sipërfaqet e mbjella me livando i gjejmë edhe në fshatrat e tjerë përreth të njësisë administrative Kushovë të cilat së bashku me pamjen e malit të Tomorrit dhe ujëvarën magjepsëse e kanë shndërruar të gjithë këtë zonë në të parapëlqyerën e turizmit natyror.