'Shqipëria Turistike'/ 'Të çmendur' pas Apolonisë, çiftet celebrojnë dashurinë e turistët premtojnë rikthimin: Na thanë se kishte vetëm gurë, i mrekullueshëm

Në këto ditë gushti udhëtojmë drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në tokat e Taulantëve ku u ngrit qyteti antik në shekullin e 6-të para Krishtit... Në hyrje, gjejmë një çift që ka zgjedhur të celebrojë dashurinë me pamjet e kësaj pjese të trashëgimisë vendase...

“Jam nga Patosi. Kam zgjedhur pikërisht Parkun e Apolonisë për të realizuar klipin e dasmës sonë, pasi është një pjesë shumë e bukur e zonës sonë, që meriton të vlerësohet në çfarëdolloj momenti”, thotë e reja nga Patosi.

Nga qendra monumentale, tek shëtitorja me kolonat dorike, monumenti i çezmës së Nimfeut, Portën e Temenosit si dhe  Manastirin e Kishën e Shën Mërisë, turistët vendas e të huaj kanë shumëçka për të parë në Apoloni... 

Fotografitë ndalin në kohë këtë vizitë të tyre në Parkun Arkeologjik ndërsa ciceronët rrëfejnë historinë pas mbetëzave antike. Miniekspozitat në park e shtojnë kërshërinë e turistëve. Ky çift vjen nga Peruxhia e Italisë. I rritur në Itali djaloshi durrsak zgjedh që t’ia prezantojë bukuritë vendase të fejuarës së tij italiane.

“Kemi ardhur në Shqipëri dy ditë më parë dhe ramë menjëherë në dashuri, për bukurinë e vendeve natyrale të këtij shteti. Do të qëndrojmë këtu për afro 6 ditë dhe gjatë kësaj kohe shpresojmë të vizitojmë sa më shumë vende, qytete si berate, lumenj, male, por edhe Vlorën e Sarandën ku ka një det shumë të bukur kristalin. Adhurojmë të gjithë shqiptarët, mirësjelljen e tyre mikpritjen që ofrojnë. Me pak fjalë e duam shumë këtë vend”, thotë turistja italiane.

Këta turistë vijnë nga Franca dhe Spanja dhe janë të impresionuar nga bukuritë e paprekura të vendit tonë, por edhe mikpritja që u bëhet.

“Është hera e parë në Shqipëri për ne, kam ardhur me familjen dhe do të qëndrojmë për dy javë”, shprehet turistja.

“ Është shumë bukur, më pëlqen, e gjej shumë interesante” thotë vogëlushi francez.

“Është shumë bukur, njerëzit janë shumë, shumë të sjellshëm. Ne jemi shumë të kënaqur nga udhëtimi në vendin tuaj”, thotë turisti francez.

“Më shumë nga Shqipëria na pëlqejnë vendet si Kruja, Apolonia, Qendra Historike e Shkodrës, njerëzit janë shumë të mirë, të respektueshëm. Parku është i mrekullueshëm , është shumë i madh e në të ka shumë gjëra interesante. Na ishte thënë se këtu do të gjenim vetëm gurë, por pasi e vizituam  mendojmë se është i mrekullueshëm dhe  do të kthehemi sërish këtu” thonë çifti i huaj i turistëve.

Parqet arkeologjike vitet e fundit janë kthyer në pika kyçe të atraksionit turistik. Vetëm në 2021-shin, me ngarkesën e efekteve të Pandemisë, nga 141 mijë e 547 vizitorë më shumë se 93 mijë prej tyre ishin të huaj.

Një vit më vonë edhe Apolonia po rimëkëmbet. Thuajse të gjithë vizitorët, nuk largohen pa vizituar Muzeun Arkeologjik me mbi 800 objekte që dëshmojnë deri në 1200 vjet para Krishtit, apo dhomëzën ku punoi Jakov Xoxa në të, e mjaft artefakte unike.

SI.E./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja