Shqipëria ka uruar Portugalinë me rastin e Ditës Kombëtare, duke vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë mes dy vendeve dhe mbështetjen që Lisbona i ka dhënë Tiranës në procesin e integrimit europian.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu urimet për qeverinë dhe popullin portugez në këtë ditë të veçantë dhe theksoi se Shqipëria vlerëson thellësisht miqësinë me Portugalinë, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin në kuadër të NATO-s dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Europës.
“Në Ditën e Portugalisë, Shqipëria i përcjell urimet më të ngrohta qeverisë dhe popullit të Portugalisë. Sot festojmë historinë e pasur të Portugalisë, kulturën e saj të gjallë dhe kontributin e qëndrueshëm për Europën dhe botën. Shqipëria vlerëson thellësisht miqësinë me Portugalinë, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin brenda NATO-s dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e Europës. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në postim.
Në mesazhin e saj, diplomacia shqiptare shpreh gjithashtu gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.
“Presim me kënaqësi të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë në shumë fusha me interes të ndërsjellë. Gëzuar Ditën e Portugalisë!”, përfundon urimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Dita e Portugalisë festohet çdo vit më 10 qershor dhe është festa kombëtare më e rëndësishme e vendit. E njohur zyrtarisht si “Dita e Portugalisë, e Kamoesit dhe e Komuniteteve Portugeze”, ajo i kushtohet historisë, kulturës, identitetit kombëtar dhe miliona portugezëve që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.
On Portugal Day, Albania extends its warm congratulations to the Government and people of Portugal.
— Albanian MEFA ?? (@AlbanianDiplo) June 10, 2026
Today we celebrate Portugal’s rich history, vibrant culture and enduring contribution to Europe and the world.
Albania deeply values its friendship with Portugal, built on shared… pic.twitter.com/QhhRwO1Jfz
Data përkon me vdekjen e poetit të njohur portugez Luis de Kamoes në vitin 1580, i konsideruar si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë portugeze dhe autor i veprës së famshme “Os Lusíadas”. Me kalimin e viteve, festa ka marrë një kuptim më të gjerë, duke u kthyer në një kremtim të kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë portugeze në mbarë botën.
Festimet zyrtare të këtij viti zhvillohen në ishullin Terseira në Azore, në kuadër të 50-vjetorit të autonomisë rajonale të Azoreve dhe Madeirës. Ndërkohë, aktivitetet ndërkombëtare organizohen në Luksemburg, ku jeton një nga komunitetet më të mëdha portugeze jashtë vendit.
Çdo vit ceremonia qendrore zhvillohet në një qytet ose rajon të ndryshëm të Portugalisë, ndërsa festa shoqërohet me aktivitete kulturore, koncerte dhe tubime komunitare.
Komente










