Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ka deklaruar se operacioni për kapjen e 613 kg kokaine ka nisur më 19 shkurt dhe është finalizuar sot.

Hodaj tha në emisionin ‘Repolitix’ të gazetarit Denis Minga, në Report Tv, zv.ministri Hodaj deklaroi se aksioni është kryer nga policia shqiptare në bashkëpunim me Hetimin Doganor, duke shtuar se autoritetet e huaja janë njoftuar në momentin që është kapur ngarkesa.

Gjithashtu, Hodaj shtoi se edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është njoftuar kur është kapur kokaina, ku që prej këtij momenti ka marrë në drejtim hetimin.

Ka qenë një operacion që ka nisur dje apo sot, cila është e vërteta?
Në fakt ka qenë një operacion që në datën 19 shkurt kur kontenieri ka ardhur në Shqipëri dhe është mbajtur nën vëzhgim dhe operacioni është përfunduar sot.

Nga ka ardhur kontenieri?  
Detajet  i ka dhënë policia, kontenieri ka udhëtuar nga Kolumbia, ka tranzituar në Itali dhe në Maltë dhe pastaj ka mbërritur në Durrës. Është një operacion që është zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Hetimin Doganor. Agjencitë e huaja ligj zbatuese janë njoftuar në momentin që është kapur ngarkesa. Në momentin që është kapur ngarkesa është njoftuar dhe Prokuroria e krimeve të Rënda dhe që në atë moment ka marrë në drejtim hetimin, sipas Kodit të Procedurës Penale.

Lënda narkotike është konstatuar në port apo në magazinë?
Departamenti i emigracionit të Kufirit i Policisë së Shtetit është i pajisur, ka qenë antidrogë, ka mjete të tjera teknologjike, doganat janë të pajisura me skaner. Kështu që nuk është konstatuar në momentin që është kryer goditja. Është konstatuar më parë që ka pasur drogë. 

Dhe është mbajtur dhe është lejuar vetë që të shkojë deri te magazina? 
Po është gjurmuar sepse duke qenë se bëhet fjalë për një grup kriminal duhet të zhvilloheshin dhe hetime të tjera, për të gjurmuar dhe pjesëtarët e tjerë të grupit që mund të ishin të përfshirë.

Sot janë arrestuar 2 persona ndërkohë një i tretë është në kërkim, çfarë informacionesh ke për pronarin e magazinës?
Këto detaje i di policia se kush janë, këtu nuk mund të jetë vetëm një i tretë, mund të ketë dhe disa të tjerë që policia që po hetohet ndërkohë, është një detaj që Ministria e Brendshme s’duhet ta dijë dhe s’ka pse ta dijë. 

Ka pasur Policia e Shtetit informacion nga jashtë për këtë ngarkesë apo është zbuluar rastësisht në port? 
Në dijeninë time personi ka qenë i sinjalizuar rreth dy vite më parë dhe nga policia e shtetit si potencialisht i përfshirë në këtë lloj aktiviteti, për këtë që është i arratisur. Është sinjalizuar për këtë lloj aktiviteti nga Amerika Latine në Evropë. Duke qenë një person i sinjalizuar dhe policia e shtetit ka mbajtur nën vëzhgim ngarkesën. Nuk ka ndonjë informacion konkret  nga  agjencitë e tjera ligj zbatuese apo partnerë. Po të shikosh Twitter-in e ambasadorit të BE dhe ambasadorit Lu “Përgëzohet Policia e Shtetit “, që do të thotë se është një operacioni kryer vetëm nga agjencitë ligj zbatuese shqiptare. 

Goditja ishte diçka e domosdoshme apo mund të lihej ngarkesa për të zbuluar dhe persona të tjerë?
Këtë e vendos drejtuesi i operacionit, autoriteti më i madh i policisë për gjithë punën operative, deri sa ka gjykuar që duhej bërë goditja.

Roli i prokurorisë ka qenë se ju e keni njoftuar...
Prokuroria është njoftuar në momentin  që është bërë goditja dhe nga ia moment ka marrë në dorë njoftimin

Kur ka ndodhur ekzaktësisht goditja? Në orët e para të mëngjesit?
Besoj se po, por nuk e kam si informacion. 

A rrezikon Shqipëria pas rezultateve për pastrimin e territorit nga kanabis sativa dhe të kthehet në një zonë distributori të kokainës? A është ky risk për vendin? 
Kërkon specializim tjetër për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe të trafikosh kokainë. Ky grup që bëhet fjalë sot nuk ka të dhëna që janë të përfshirë ndonjëherë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, por ka të dhëna dhe janë sinjalizuar përfshirjen e aktiviteteve.

A rrezikon Shqipëria që të kthehet në një vend kokaine për Europën? 
Pikërisht se sekuestruam sasi të tilla do të thosha që jo, sepse po kapen. Do të ishte e çuditshme sikur mos të kapeshin, atëherë do të thoshim që ka diçka që nuk shkon, sepse nuk na rezulton të kapet kokainë që të kapet heroinë apo që të kapet kanabis. Në momentin që kapen do të thotë se po funksionon, por ama se deri ku po funksionon këtë nuk mund ta them.d.c./shqiptarja.com