Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi zhvilloi një takim me Zëvendësministrin Parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes të Japonisë, Yohei Wakabayashi, ku u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale të sigurisë, si dhe mbi mundësitë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Shqipëria e vlerëson Japoninë si një partner të rëndësishëm dhe mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes shkëmbimit të ekspertizës, forcimit të kontakteve ndërmjet institucioneve dhe Forcave të Armatosura, si dhe aktiviteteve të përbashkëta.”– u shpreh Ministri Nufi në lidhje me takimin.

Ndër të tjera, Ministri i Mbrojtjes Nufi vuri theksin tek ndërtimi i urave të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve tona:

“Nga asistenca humanitare dhe operacionet në mbështetje të paqes, te forcimi i qëndrueshmërisë përballë kërcënimeve të reja të sigurisë, synimi ynë është i qartë: të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi dhe një partneritet gjithnjë e më të fortë mes Shqipërisë dhe Japonisë.” – nënvizoi ai.