TIRANE- Gjuha shqipe duhet të jetë e ndarë nga letërsia, pasi ajo po humbet standardin. Ky është propozimi që vjen nga dekani i fakultetit Histori Filologji, Shezai Rrokaj njëkohësisht gjuhëtar. Sipas tij, është e nevojshme ndarja e saj nga letërsia në tekstet shkollore. Por kjo nismë që vazhdon të rekomandohet nga studiuesit e gjuhës, duhet të mbështet edhe nga qeveria jo vetëm me ndryshime ligjore.

Kështu shprehet dekani i fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj. "Mendimi i shumicës specialiste me të cilët bashkohem edhe unë është të ndahet gjuha nga letërsia por natyrisht shteti ka detyrimin të mbrojë gjuhën standarde apo në gjuhën në përdorim. Duhet me doemos të këmbëngul edhe me mjete të tjera të caktuara, jo vetëm ato ligjore por edhe financiare. Mbas klasës së 6 duhet të ndahet teksti i gjuhës nga teksti i letërsisë”, u shpreh Shezai Rrokaj, studiues i gjuhës shqipe.

Ndërkaq Rrokaj shprehet se është e nevojshme që gjuha shqipe të bëhet lëndë e detyrueshme në universitetet, dhe jo fakultative. Studentët tanë kanë shumë probleme gjuhësore shprehet Rrokaj dhe kjo është e pafalshme, ndërkohë që universitetet ndërkombëtare i kushtojnë një rëndësi të madhe gjuhës standarde.

“Unë e kam bërë këtë propozim por natyrisht nuk fitoi ky propozim në senat por fitoi propozimi që të lihet si lëndë me zgjedhje. Të gjitha shoqëritë moderne, shtetet që kanë qenë në proces njehsimi të standardit i kanë kushtuar një rëndësi më të madhe sesa i kushtohet sot. Ne nuk e kemi të zgjidhur problemin e standardit” theksoi Rrokaj.

Aktualisht gjuha shqipe në universitete, është lëndë me zgjedhje, vetëm gjatë një semestri. Nga raportimet e fakulteteve, ajo është një lëndë shumë pak e kërkuar nga të rinjtë shqiptarë, të cilët gjithnjë e më shumë po shkojnë drejt mësimit të gjuhëve të huaja thonë ekspertët.

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com